Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen e 51-vjeçarit Marketin Marku në Mamurras. Burime për News24 bëjnë me dije se i plagosuri është konfliktuar me dy 18-vjeçarë, pasi këta të fundit po xhironin gomat e automjetit në rrugë.
51-vjeçari, i cili ishte kthyer prej pak kohësh nga Anglia, u përball me dy të rinjtë në lagjen “Zef Hoti” të Mamurrasit, duke u kërkuar të mos kryenin manovra të rrezikshme. Pas konfliktit verbal, dy të rinjtë, të identifikuar si Roeni Noka dhe Oligert Ndreca, dyshohet se kanë reaguar duke përdorur armë zjarri, duke plagosur Marketin Markun me një plumb në krah. Fillimisht, i plagosuri mori ndihmën e parë në Spitalin e Lezhës dhe më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas sherrit, dy 18-vjeçarët u larguan nga vendngjarja me një automjet, i cili u gjet më vonë në banesën e Oligert Ndrecës dhe u sekuestrua nga policia në cilësinë e provës materiale. Policia vijon punën për kapjen e dy të rinjve dhe për të përcaktuar se cili prej tyre ka qëlluar me armë zjarri ndaj 51-vjeçarit.
