Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dërguar video mesazhin e tij të përnatshëm drejtuar kombit.

Në adresimin e sotëm, Zelensky ka vënë theksin në atë që e quajti “shantazhi energjitik” i Moskës ndaj Europës.

Ai tha se ndërprerja e furnizimit me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë tregon se askush në Evropë nuk mund të shpresojë të mbajë ndonjë bashkëpunim normal ekonomik me Rusinë, raportoi BBC.

“Rusia e konsideron si armë jo vetëm gazin, por çdo shkëmbim tregtar. Ajo thjesht pret momentin kur mund të përdoret një ose një zonë tjetër tregtare. Rusia e sheh një Evropë të bashkuar si një objektiv dhe sa më shpejt të gjithë në kontinent të bien dakord se nuk mund të varen nga Rusia për tregti, aq më shpejt do të ketë stabilitet”, u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas përshëndeti gjithashtu një vendim për të përjashtuar mallrat ukrainase nga tarifat dhe detyrimet, në përpjekje për të ndihmuar ekonominë ukrainase.

“Eksportet e Ukrainës do të ndihmojnë në stabilizimin e tregjeve dhe do të mbështesin ekonominë e vendit gjatë krizës”, tha presidenti ukrainas.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb