Rusia ka njoftuar mbylljen e konsullatës rumune në Shën Petersburg dhe dëbimin e konsullit të përgjithshëm të Rumanisë, në një veprim që Moska e cilësoi si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bukureshtit për të mbyllur konsullatën ruse në Konstancë.
Ministria e Jashtme ruse bëri të ditur se masa është marrë në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve rumune, duke e konsideruar atë një veprim jomiqësor ndaj Federatës Ruse.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Rumanisë deklaroi se reagimi i Moskës ishte i pritshëm pas dëbimit të konsullit rus në Konstancë. Ky vendim u mor pas një incidenti në muajin maj, kur një dron rus u rrëzua mbi një ndërtesë apartamentesh në qytetin lindor rumun të Galatit gjatë një sulmi ajror ndaj Ukrainës fqinje.
Ngjarja kishte ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në territorin e një vendi anëtar të NATO-s, duke përshkallëzuar më tej tensionet diplomatike midis Rumanisë dhe Rusisë.
