Nënkryetari i parlamentit të Shqipërisë Agron Gjekmarkaj, në një fjalim përpara parlamentit, deklaroi se Brukseli dërgon marrëveshje drejt Tiranës, me qëllim që të integrojë Shqipërinë, por se duket se kjo gjë nuk ka rezultat.

Gjekmarkaj thekson se Shqipëria me qeverisje lindore duket se shkon sërish në Bruksel, në mënyrë jo të hijshme dhe pa shkëlqim.

Pjesë nga fjala e nënkryetarit të parlamentit, Agron Gjekmarkaj:

E nderuar Zonja Kryetare,

Të nderuar deputetë,

Një tjetër marrëveshje me Bashkimin Europian ka mbërritur sot në këtë sallë “për pjesëmarrjen në tregun e përbashkët”! Në substancë mes kësaj Qeverie dhe Europës qëndron “mosmarrëveshja” ekzistenciale, keqkuptimi organik, hilja merafizike, gënjeshtra e natyrshme!

Ne mbushim kamionë me letra, avionë me burra e gra  kostumosur allafrënga drejt Brukselit, qytet ky i cili sa më shumë i afrohemi po kaq largohet si një vijë imagjinare horizonti. Gënjeshtra “allaturka” e trashë si salep derdhet binave të Komisionit Europian, dukë lënë ngado njollat e veta të lybyrta.

Shqipëria “socialiste” bën përpjekje të duket një shtet gazmor, ku paçja e pilafi e gatuar në akçihanet e propagandës derdhen lumë për turistët, ku ministrushët ja marrin valles me përdëllim sevdallor.

Gromësimat e shkaktuara nga birra shndërrohen në melodi, kolonë zanore e aktualitetit si shprehje më të larta mendimi liberal, kur në fakt Shqipëria e qeverisë është një shtet gjithnjë e më lindor, më despotik, më i korruptuar, më i kriminalizuar, me një qasje haxhi qamiliste ndaj Europës.

Çmimi për jetën e njeriut ka rënë shumë, duke zhvleftësuar dhe çmimin e jetës së pulave. Europa ka parimin e ndarjes së pushteteve, ndërsa neve na i ka marrë të gjitha një njeri i vetëm.

Në krye të vendit është vënë një qyqar, të cilit kolla e Elisës i duket tufan dhe ai ndien të ftohtë. E sheh vëngër, Bela i shkojnë mornica dhe futet në bodrum. Tao si formë lirie dhe autonomie e nxit të këshillohet me parukierin, por Ulsiu nuk e lejon të japë asnjë mendim per çështjet publike, dilemë që nuk i jep dum.

Herë pas here i merr mendje Nikos, kur duhet të shfaqet si i hutuar dhe i habitur, si i gëzuar apo mërzitur duke folur përçart, me fjalor foshnjor, sipas stinëve, ku flitet për aromën e luleve, freskinë e ajrit dhe harenë e diellit!

Për të firmosur si kamerier lepe peqe çdo nismë të Kryeministrit të cilin kur e sheh në Iftar prej mjekrës, e ngatërron me profetin dhe i zaliset tek këmbët, e di vetë, e ka merak jete. Institucionet e pavarura kanë vetëm një pavarësi, atë të të shprehurit besnikëri ndaj shefit të ekzekutivit. Pushteti lokal ka vetëm një qëllim, të shtojë sipërfaqen e patronazhuar në funksion të tjetërsimit të votës dhe të zvoglojë atë publike në favor të investitorëve strategjikë, të caktuar nga qeveria.

Ndonjë gjykatë kur guxon të japë vendim të vonuar, që bezdis Edi Ramën, zihet me gurë nga mazhoranca dhe aty s’ka radhë kush do hedhë gurin e parë Toni apo Çuçi, Etilda apo Mimi, turren të gjithë njëherësh çapraz e pa maraz. Shalsi rrëzohet rrugës dhe ndien si i kalojnë mbi shpinë, tek shtyhen Xhemali me Nasipin, Cyrbja me Laertin,  Erjoni me Majkon për të goditur kush e kush më parë. Rënkon por për kauzën nuk bëzan. I bëhet zemra mal kur sheh gurët e shumtë nën pemë.

Gjykata të tjera janë në ankth nëse Kryeministri është apo jo i kënaqur sa duhet me përfshirjen e tyre si palë me pushtetin për ta lënë Opozitën jashtë legalitetit juridik. Shpirti i Judës duket ku e ku më qelibar se ai i tyre.

Ndërkohë drejtorët e ministrive, e të bashkisë si minjtë e Dino Buxatit grijnë trarët e shtetit , ëndrrat e qytetit por shefat e tyre nuk dinë gjë, ata janë në të drejtë të Zotit dhe punojnë për një Zot të vetem. Zoti është i madh, por anija bëhet gjithnjë e më e vogël. Ka filluar të shkundet. Allahu akbar sanalli batall pat thënë Fishta në një udhëtim në Bosfor!

Një tjetër gjykatë godet në kundërshtim me nenin 73 të Kushtetutës i kufizon të drejtat Liderit të Opozitës, Kuvendi nxiton me urdhër politik dhe miraton këtë dhunë.

Pastaj po kjo njësi gjykatore pa akuzë, pa hetim, pa asnjë rrezik për të nderhyrë në process, po për llogari të një pushteti të kalbur, të korruptuar, nën muzikë skandalesh që mbajnë emra kumbues, sterilizim, pastrim, reflektim, aferim, incenerator,  cek-ap, kap e mos u bëj merak, merr e ik me vrap, nxito o zullap e vendos atë nën arrest shtepiak!

Çfarë të përbashkët ka Shqiperia aktuale me Europën, çfarë lirie gëzon ajo ku themeluesin e pluralizmit Sali Berishën e arreston për arsye politike ?!

Po ju kujtoj se “Liria është një e vetme; zinxhirët që vihen padrejtesisht mbi njërin peshojnë mbi shpatullat e gjithësecilit.

Mos vini bast pa fund mbi provokimin e Opozites dhe të shoqërisë. Mos luani bixhoz me reagimin e saj.

Të mëdhenjtë ndihen të tillë persa kohë qytetaret rrinë në gjunjë por ata po ngrihen dhe të mëdhenjtë do të bëhen xhuxhë.  Asgjë e re nën këtë diell, gjithçka përsëritet.

Të rebelohesh ndaj padrejtësive është bindje ndaj Zotit, na mëson një nga themeluesit e demokracisë Benxhamin Franklin, një vlerë kjo sa amerikane, aq europiane.

Faleminderit

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: