Përkeqësimi i motit në ditët e para të këtij viti po shoqërohet me rënie të ndjeshme të temperaturave, e shoqëruar me reshje dëbore, sidomos në zonat veriore dhe verilindore të vendit.
Kjo situatë po krijon vështirësi, sidomos në qarkullimin e mjeteve, ndaj përdoruesit e tyre këshillohen të përdorin zinxhirë.
Në rajonin e Pukës dhe të Kukësit trashësia e dëborës ka shkuar në disa centimetra. Në aksin Fushë Arrëz – Fushë Dukagjin, raportohet ka 30 – 50 cm borë, dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Në Rrugën e Kombit dhe në akset e tjera rrugore janë vënë në dispozicion borëpastrueset, ndërsa situata më problematike paraqitet në fshatrat e thella malore.
Problematike situata paraqitet në Bulqizë e Dibër, ku disa zona raportohen të bllokuara, pasi mungon ndërhyrja në pastrimin e rrugëve nga dëbora.
Sipas gazetarit Enver Doçi, mungon kripa dhe skorja në aksin Qafë Buall-Krastë, pasi firmës që merrej me mirëmbajtjen e rrugës i ka mbaruar kontrata. Sipas banorëve të zonës, dy persona të sëmurë e kanë të pamundur të marrin ndihmë mjekësore.
Bashkia e Kukësit thotë se “intensiteti i reshjeve të dëborës u shtua gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa Shtabi i Emergjencave i Bashkisë po qëndron në koherencë me situatën”.
Mjetet borëpastruese nisen menjëherë nga puna për hedhjen e kripës në rrugët e qytetit, ndërsa bashkia vuri në gatishmëri edhe mjetet të saj për të ndërhyrë në rast nevoje.
Bashkia garanton të gjithë qytetarët e saj se do të bëjë gjithçka për të mbajtur situatën nën kontroll dhe rrugët të qarkullueshme.
Përkeqësimi i motit pritet të intensifikohet në fundjavë kur temperaturat parashikohet të shkojnë nga -4 gradë deri në -20 gradë.
(el.sp/BalkanWeb)
