TIRANE– Pas ngritjes së shtabit të emergjencave, Bashkia e Tiranës ka nisur sistemimin e personave në kushte rruge drejt qendrave sociale.

Kjo masë e marrë do të shmang pasojat e kushteve të këqija atmosferikë tek ata që flenë në mjedise të ndryshme publike. Shumë prej tyre shtëpitë i kanë në qytete të tjera ose shumë larg nga qendra e qytetit, ndaj Bashkia e Tiranës ka zgjedhur që këto raste të veçanta t’i trajtojë me strehim provizor, deri në kalimin e temperaturave të ulëta.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, vlerëson masat e marra nga Bashkia e Tiranës, në kushtet e emergjencës klimaterike, që po përjeton vendi ynë, për të pasur vend-strehime për të pastrehët, njerëzit në nevojë dhe të vetmuarit.

“I ripërsërisim të gjitha bashkive të tjera, thirrjen, për marrjen e masave organizative për përgatitjen e vend-strehimeve apo vend-qëndrimeve provizore për grupe në nevojë emergjente, që kërkojnë ndihmë nga organet e pushtetit vendor, me qëllim parandalimin e tragjedive njerëzore”, thuhet në njoftimin për shtyp të Avokatit të Popullit.

Totozani i fton drejtuesit e këtyre bashkive, që të bëjnë publike masat e marra për popullsinë, të orientojnë qytetarët se ku mund të gjejnë ndihmë, si dhe të vënë në dispozicion numra telefoni emergjence, për të dhënë në kohë ndihmën për njerëzit në nevojë.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb