PUKE- Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj vijon të ndjekë në terren akset më problematike rrugore lidhur me reshjet e dendura të dëborës dhe motin e ftohtë në vend.

Pas Kukësit dhe Peshkopisë, Dervishaj ishte në Pukë ku ka inspektuar aksin Bushat-Pukë.

Në fjalën e tij para mediave, Ministri Dervishaj theksoi edhe një herë tjetër se nuk ka probleme në qarkullim, dhe se për këtë fakt po punohet intensivisht.

Por nga ana tjetër, Dervishaj përsëriti apelin e tij drejtuar shoferëve që të bëjnë kujdes në respektimin e shenjave të qarkullimit dhe të përdorin zinxhirët.

Ndërkaq Bashkia Pukë informon se është e angazhuar maksimalisht për të mbajtur nën kontroll situatën si pasojë motit të rënduar dhe reshjet e shumta të borës.

Bashkia Pukë po punon me një mjet fadromë për mbajtjen hapur rrugët në lagjet periferike, njëkohësisht ka vënë në dispozicion dhe një borëpastruese nga Drejtoria e Emergjencave Civile, e cila po punon për mbajtjen hapur dhe pastrimin e rrugëve brenda qytetit.

Ndërmarrja e Shërbimeve vijon punën për kriposjen e rrugëve. Po bashkëpunohet me Komisariatin e Policisë Pukë, Shërbimin Spitalor, Drejtorin e Ujësjellësit, Sektorin e OSHEE Pukë për të shmangur dhe parandaluar problemet që mund të krijohen.

Akset nacionale që përshkojnë territorin e Bashkisë Pukë po mbahen të hapura, ndërsa është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirve. Mbetet domosdoshmëri kriposja e rrugëve nacionale të cilat mirëmbahen nga kompani private, të kontraktuara nga Autoriteti i Rrugëve. Fshatrat në Njësin Administrave Gjegjan janë të bllokuara. Fshatrat e Njësisë Administrative Rrape janë të bllokuara. Fshatrat e Njësisë Administrative Luf Qerret janë të bllokuara. Fshatrat e Njësisë Administrative Qelëz janë të bllokuara. Pa energji elektrike vazhdojnë të jene fshatrat e Njësisë Administrative Qelëz.

Ndërkohë mungesa e energjisë vërehet në fshatrat Kimëz, Dom, Rras Kuzhnen, Rryp, Prozhëm, Blinisht, Kabash, Vrrith, Qerret.

Ujësjellësi ka kaluar në gjendje gatishmërie, Shërbimi Zjarrfikës ka kaluar në gjendje gatishmërie, Shërbimi Spitalor në gjëndje gatishmërie.

Deri tani nuk ka pasur raste të emergjencave shëndetësore. Po mbahen kontakte të vazhdueshme me Drejtorin e Emergjencave Civile, Prefekturen e Qarkut Shkodër dhe Institucione të tjera. Shtabi i Emergjencave Civile pranë bashkisë Pukë është në gatishmëri dhe po monitoron situatën.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb