Kapiteneria e Portit Vlorë ka pezulluar përkohësisht lundrimin e mjeteve të vogla detare dhe atyre të peshkimit për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike në gjirin e Vlorës dhe në det të hapur.

Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 09:00 e datës 19 shkurt 2026, në zonë pritet erë në drejtimin jug–juglindje me forcë 6–7 ballë, me shpejtësi 15–20 metra në sekondë dhe dallgë që arrijnë nga 1.5 deri në 2.5 metra. Për këtë arsye është ndaluar pajisja me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës, nga ora 08:00 e datës 19 shkurt deri në orën 06:00 të datës 20 shkurt 2026. Autoritetet u kanë kërkuar subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme si pasojë e motit të keq.

Njoftimi i plotë
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 19-20.02.2026, duke filluar nga ora 09:00 e datës 19.02.2026, në drejtimin JUG-JUGLINDJE me forcë deri 6–7 Bft, shpejtësi ere 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri 2.50 metra, ju njoftojmë :

1. Është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur, duke filluar nga ora 08:00 e datës 19.02.2026 deri në orën 06:00 të datës 20.02.2026.

2. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.

3. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

4. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 20.02.2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: