Po shkon drejt normalizimit situata në zonat veriore të vendit si pasojë e kushteve atmosferike. Në Pukë, bashkia tashmë ka pasur të gjithë akset rurale të cilat prej ditësh ishin të bllokuara, ndërkohë që apelohet për kujdes ndaj drejtuesve të mjeteve, kryesisht në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes për shkak të prezencës së akullit në rrugë.

Bashkia e qytetit i bërë apel qytetarëve për kujdes, pasi në zonat e banuara kanë filluar të zbresin kafshë të egra, çfarë shton rrezikun për njerëzit.

Edhe në Fushë-Arrëz shumica e fshatrave tashmë janë të hapur, ndërkohë që është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve në zonat rurale. Bashkia e këtij qyteti ka apeluar për kujdes gjatë qarkullimit në akset Kryezi Iballë, Qafë Mali-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Qaf-Shllak-Kukës, pasi janë zona të cilët karakterizohen nga rënia e ortekëve.

Në Kukës situata po shkon drejt normalizimit sa i përket qarkullimit rrugor. Në bashkinë e Kukës, Njësia Administrative Arren vijon të mbetet e izoluar, ndërkohë që janë lidhur qendra e njësive administrative me qytetin e Kukësit. Situata më e qetë paraqitet edhe në Tropojë e Has ku po punohet për lidhjen e fshatrave me qendrat e njësive administrative. Në Kukës Njësia Administrative Topojan, është pa energji elektrike, ndërsa pa energji në Has mbeten fshatrat Pogaj e Kisha në Njësinë Administrative Gjinaj.

Në Dibër problem mbeten disa zona rurale, të cilat ende nuk kanë dalë nga izolimi. 1 000 banorë të fshatit Gryk Nok kanë apeluar për ndihmë, pasi janë të detyruar të transportojnë në batanije emergjencat shëndetësore që po shfaqen në zonë.

Në Korçë situata është në përmirësim, ndërsa mbetet i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve në disa prej akseve rurale që lidhin fshatrat me njësitë administrative.

Por teksa në pjesën më të madhe nuk ka reshje bore, në Vlorë tek Qafa e Llogarasë reshjet e borës dhe ngricat vijuan dhe sot, teksa në këtë pjesë është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.

Në zonat e prekura nga reshjet dhe temperaturat e ulëta problem mbetet ngrirja dhe dëmtimi i linjave të ujësjellësve.

E teksa situata në këto zona po shkon drejt përmirësimit, në veri të vendit të hënën pritet rikthimi i reshjeve të borës, që pritet të zgjasin për gjatë gjithë ditës, për t’u pasuar nga temperatura deri e -12 gradë celsius.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: