DURRES– Moti i keq që ka përfshirë vendin dhe gjithë rajonin ka shkaktuar problemeve edhe me lundrimin në det. Për shkak të erërave të forta dhe dallgëzimit në det, është pezulluar lundrimi në Portin e Durrësit.

Pasojat e motit të keq janë ndjerë më të shumti nga 500 pasagjerë të tragetit të linjës Durrës-Ankona, i cili u detyrua të devijojë lundrimin në drejtim të Barit, pasi Porti i Ankonës ishte i mbyllur.

Trageti i nisur nga Durrësi pasditen e së enjtes arriti në portin e Barit, dhe menjëherë filloi zbarkimi i 500 pasagjerëve në bord, por burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se 100 prej tyre ndodhen ende në traget, pasi janë pa makina. Mësohet se ata do të transportohen me autobusë për në Ankona.

Ndërkaq, vështirësi paraqiten edhe për dy tragete të nisura nga Bari në drejtim të Durrësit. Ishte parashikuar që këto tragete të mbërrinin në Durrës mëngjesin e sotëm në orën 08.00, por për shkak të vonesave nga Era e fortë dhe deti deri në 7 ballë, do mbërrijnë pasdite vonë.

Nisur nga situata e motit të keq, kapiteneria ka urdhëruar që të mos dalin në det anijet e vogla për lundrim dhe as ato për peshkim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: