Emergjencat Civile të Prefekturës Elbasan bëjnë me dije se si pasojë e motit të keq të shoqëruar me reshje të dendura shiu, në bashkinë Belsh po mbizotëron një situatë problematike në disa zona.
Sipas informacionit zyrtar, liqeni kryesor i Belshit ka shënuar rritje të ndjeshme të kuotës ujore dhe ka dalë nga shtrati. Që prej ditës së djeshme janë hapur portat e shkarkimit për të menaxhuar prurjet e shtuara, ndërsa si pasojë e shkarkimit të digës së Trojasit, segmenti rrugor Belsh–Trojas është aktualisht i bllokuar pasi reshjet vijojnë të jenë me intensitet të lartë dhe rruga vijon të ndodhet nën ujë.
Autoritetet lokale dhe strukturat e Emergjencave Civile ndodhen në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen në këtë aks rrugor deri në përmirësimin e kushteve dhe normalizimin e situatës. Fatmirësisht autoritetet kanë ndërhyre me kohë për hapjen e portës së shkarkimit duke evituar përmbytjen e zonës urbane dhe pasojat katastrofike të saj për bizneset dhe familjet përgjatë bregut të liqenit të Belshit.
