Si pasojë e motit të keq të shoqëruar me reshje të dendura dëbore, mësimi nuk është zhvilluar në disa shkolla të zonave malore të qarkut Elbasan. Situata problematike është konstatuar kryesisht në zonat me terren të vështirë, ku kushtet atmosferike kanë penguar lëvizjen normale.

Nga informacionet e marra nga sektorët e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut dhe nga salla operative e Policisë Elbasan, rezulton se në bashkinë Elbasan ka prani dëbore në njësitë administrative Labinot Mal, Gjinar, Funarë dhe Zavalinë në bashkinë e Elbasanit si edhe në të gjitha zonat malore të bashkive Librazhd,Prrenjas e Gramsh. Trashësia e dëborës deri tani nuk i kalon 10-15 cm, megjithatë ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor.

Për shkak të kushteve të pafavorshme, në disa shkolla të këtyre zonave mësuesit që udhëtojnë nga zonat urbane nuk kanë mundur të mbërrijnë, duke bërë të pamundur zhvillimin e procesit mësimor.

Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe po ndjekin nga afër kushtet e motit dhe të qarkullimit, ndërsa pritet që mësimi të rifillojë sapo situata të normalizohet dhe të garantohet siguria e nxënësve dhe stafit mësimor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb