Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi ka folur për situatën e vështirë që po kalon vendi për shkak të motit të keq. Në një lidhje telefonike për “News24”, Prençi lajmëroi se rrugët nacionale janë të hapura dhe se kompanitë janë të angazhuara për situatën.
I pyetur nga gazetarja Ola Bruko për një familje me 7 anëtarë në Klos e cila kishte mbetur edhe pa ujë të pijshëm për shkak të ngricës, Prençi tha se ka komunikuar me bashkinë e Klosit, dhe se ekipet e emergjencave civile do të jenë në gadishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë çdo familjeje.
Kreu i Emergjencave Civile gjithashtu i bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të përdorin zinxhirë.
Më pas, po në një lidhje telefonike për “News24” sinoptikania Lajda Porja sqaroi situatën metereologjike në vazhdim. “Reshje s’do ketë deri në datë 12, temperaturat rriten të hënën e të martën por shumë pak gradë, ngrica do vazhdojë të ketë. Fundjava e ardhshme do të ketë temperatura të paqëndrueshme. I ftohti polar ka mbërthyer të gjithë kontinentin,” tha ajo.
(e.f/ BalkanWeb)
