Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në disa qytete të vendit. Në Lezhë 1200 ha tokë bujqesore janë përmbytur ndërsa edhe disa lagje ndodhen nën pushtetin e ujit.

Prezencë të madhe uji deri në 30 cm ka patur në lagjet “Besëlidhja” dhe ’11 janari’. Ndërsa varrezat e fshatit Kakarriq të njësisë administrative Balldre ndodhen nën ujë dhe një familje është evakuar në fshatin Kotërr.

Edhe në qytetin e Vlorës reshjet kanë bërë që niveli i lumit Vjosë të rritet mbi 6.3 metra mbi nivelin e detit. Si pasojë ajo ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur një pjesë të pazarit pranë urës së Mifolit në Vlorë. Shirat e dendur kanë bërë që lumi Ishëm të dalë sërish nga shtrati.

Në fshatin Murqinë niveli i ujit në fusha ka kaluar 50 cm dhe 20 banesa ndodhen të rrethuara nga uji. Prej vitesh kjo zonë përmbytet disa herë në vit për shkak të mospastrimit të kanaleve kulluese.

Dhjetëra hektare tokë ndodhen nën ujë edhe në fshatrat Fushë Gjuricë, Fushë Kërtushaj, Fushë Kapedanë etj. Në Shkodër rruga e Obotit është e pakalueshme për shkak të lartësisë së ujit 60 cm.

Kryebashkiakaja Ademi kërkoi ndërhyrje me mjetet e ushtrisë për lundrimin dhe krijimin e aksesit për banorët e Obotit. Ndërsa në fshatrat Shirq dhe Mushan uji ka përmbytur  489 hektarë tokë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb