Ornela Canaj, motra e Aldës, që bashkë me të ëmën u vranë nga Marjan Rroku ka reaguar pas intervistës së autorit të krimit, dhënë një ditë më parë te “E diela shqiptare”.

Pas 15 vitesh, Marjan Rroku i dënuar me burgim të përjetshëm pranon vrasjen e dyfishtë dhe tregoi versionin e tij si ka ndodhur ngjarja. Dikur ish-punonjës i SHIK-ut, ai rrëefru sesi qëlloi me armën e shërbimit në mes të Tiranës, një vajzë dhe nënën e saj.

Në një status të gjatë në një faqe të hapur në rrjetin social “Facebook”, motra e Aldës e akuzon Rrokun jo vetëm si kriminel, vrasës, por edhe si psikopat, duke thënë se ai nuk ka rrëfyer të vërtetën, por versionin e shpikur të ngjarjes.

STATUSI I PLOTE I ORNELA CANAJT, MOTRA E ALDËS
E hapa kete faqe për të nderuar kujtimin e motrës dhe nënës sime. Pasi pashë intervisten tek “E djela shqiptare” që u dha ne TV Klan ne 28 Shkurt 2016, vendosa të hap kete faqe të tregoj faktet dhe te informoj publikun per te vërtetën e vetme qe qëndron pas vrasjes se pameshire te Mbarime dhe Alda Canaj. Dua t’ju bej te ditur njerezve, se kush eshte ne te VERTETE Marjan Rroku; ai nuk eshte vetem nje vrases, por nje psikopat sadist qe i paramendoi dhe ne mënyre metodike i arkitektoi keto vepra te uleta.

Marjan Rroku vendosi te thotë versionin e shpikur te ngjarjeve, dhe harroi te përmendte se si çdo mengjes ai priste motren time te vogël te dera e jashtme e shtepise dhe e përndiqte.

Ai e ndalonte cdo dite Ate, rruges per ne shkolle dhe kur kthehej nga shkolla, për t’i treguar qe ajo ishte e tija dhe ajo nuk duhet t’i drejtonte syte nga asnje mashkull tjetër. Në moshën 27 vjeçare, Rroku, nen shenjestren e armes, e ndaloi Alden e pambrojtur, 16 vjeç duke e detyruar ate me force te vendoste qe ose te shkonte me te, ose do te vdiste.

Rroku nuk ndaloi me kaq, po qëlloi dhe babane tim, dhe na vuri ne shenjester te gjitheve si familje, edhe pse ne nderruam dy shtëpi brenda dy muajsh. Rroku i mori cdo grimce te jetes sime motre para se t’a vriste.

Per muaj me radhe familja jone u perndoq dhe torturua fizikisht dhe mentalisht nga ky kriminel qe fshihej nen titullin e tij zyrtar si punonjes i ISHKNG­-se. Denoncim pas denoncimi ne Rajonin nr.1 e Rajonin nr.2 te policise ne Tirane. Gjashte denoncime te depozituara qe pasqyronin 6 episode te ashpra dhune.

Ne 29 Mars 2001, Marjan Rroku gjakftohtesisht qëlloi shtate plumbat qe vrane mamane dhe motren time. “Ishte nje skenë e tmerrshme”, i tha nje deshmitar policise. Mami qe mundohej te mbronte Alden duke perdorur trupin e saj si mburojë, dhe Alda qe perpiqej ti dilte para mamit qe ta mbronte nga plumbat.
Pasi jua mori jeten dhe i la te shtrira njera mbi tjetren ne mes te Pallatit te Sportit, u zhduk paburrerrisht dhe u fsheh ne Amerike, duke u perpjekur t’i shmangej deminit per krimin e pameshirshem qe kreu.

U bene pothuaj 15 vjet qe nga dita qe i pashe mamin e Alden per heren e fundit. Ky monster i ka kushtuar vetem vuajtje e lote familjes sime. U munduam me c’kishim te gjejme drejtesi. Pasi pashe emisionin ne Klan ndihem se mami dhe motra ime u vrane, serish, per here te dyte.

Rrëfehet ish-punonjësi i SHISH: “Po, unë e vrava Aldën dhe nënën e saj”
Prezantuesi Ardit Gjebrea i merr nga qelia rrëfimin ish-agjentit të SHISH Marjan Rroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Alda Canajt 16 vjeçe dhe nënës së saj Mbarime Canaj, në vitin 2001.

Plot 15 vite pasi vrau nënë e bijë, ish-agjenti i Shërbimit Informativ Shtetëror, Marjan Rroku, tashmë i ekstraduar nga Amerika dhe po kryen dënimin me burgim të përjetshëm në Shqipëri, është rrëfyer përpara Ardit Gjebresë, (drejtuesit të programit “E diela shqiptare”), duke pranuar për herë të parë publikisht se është ai autori i vrasjes.

Një histori tragjike për familjen Canaj dhe një krim që u konsiderua si tepër i rëndë, pasi një oficer i shërbimit sekret, me armën e shërbimit, vrau dy njerëz, të miturën 16-vjeçare Aldën dhe nënën e saj Mbarime Canajn. Kjo ngjarje ndodhi në vitin 2001, pranë pallatit të sportit Asllan Rusi, kur në trupin e tyre u derdhën plumbat e pistoletës së Marjan Rrokut.

U tha që kishte një flirt mes tij dhe 16-vjeçares, por Rroku pretendon se nuk kishte asgjë mes tyre pasi ai pëlqente shoqen e saj, por gjërat precipituan nga zënka dhe përfunduan në një vrasje që tronditi opinionin.

“Në 2001 unë kam bërë diçka që nuk e kisha menduar as unë, as kush më ka njohur. Kam vrarë dy vetë. Ka 3 versione të ngjarjes, por asnjëri nuk është i saktë. Alda (vajza që u vra), nuk ka qenë e dashura ime, as nuk i kisha vënë syrin për trafik femrash. Ishim tre çuna që dolëm me tre goca. Synimi im ishte të njihesha me atë tjetrën” -tregoi Rroku.

Sipas tij, nuk ka dashur ta vrasë Aldën dhe as Mbarimen.

“Unë prindërit e Aldës i njihja, i kam takuar disa herë. Ne jemi takuar në fund të vitit 2000, ishte thjesht shoqëri. Më pas, unë fillova punë stabël te SHIK-u. Ajo pati një dobësi për mua. Por nuk filloi kurrë si lidhje dhe as vazhdoi si lidhje. Ishte diçka që nuk e shpjegoj dot. Kam takuar të ëmën, i thashë: Çfarë doni nga unë? Ajo më tha se kishte dëgjuar se vajzën do t’ua çoja në Itali. Më thanë: ‘Zhduku nga Tirana se je tallur me vajzën tonë’ -rrëfeu Rroku.

Ky ishte shqetësimi i nënës për të bijën, por momenti fatal për të dhe vajzën e saj Aldën, gjimnaziste në shkollën e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, ndodhi vetëm një ditë më pas.

“Atë ditë (ditën kur ndodhën vrasjet), shkova në mëngjes në punë, ndenja një orë. Shoqja e Aldës me dha një letër. E hapa e lexova: ‘As dua t’i shoh sytë, as dua të kem të bëj me ty’. Duke shkuar në shtëpi, takova të ëmën, mendova t’i jap letrën. I thashë: Mos shkruaj më letra! Ajo më shau dhe më gjuajti me çantë. Kam rënë përtokë e sikur të kem pasur një çelës diku në kokë dhe që nga ai moment çdo gjë është e turbullt për mua. Nuk mbaj mend asgjë. Është një pjesë e jetës time që nuk mund të them që kjo është e vërteta. Vetëm ika, pistoletën e kisha me vete. Mendoja të vrisja veten. Sot e mendoj se nëse do të veproja kështu, do të kisha bërë 10-fish mëkat. Zoti të fal gjithçka” -ka përfunduar rrëfimin e tij Rroku, duke shtuar se “nuk më takon mua të vendos kush vjen në këtë botë dhe kush ikën prej saj. Është një histori që nuk kam dashur ta hap më përpara” -shtoi ish-agjenti i SHISH.

Ai menjëherë pas krimit u largua për në Amerikë por familjarët e dy viktimave nuk reshtën së kërkuari drejtësi dhe të dhënat e marra edhe nga strukturat e shtetit tregonin se Rroku ndodhej në Amerikë.

Ai arrestohet atje brenda banesës ku jetonte me bashkëshorten që kishte njohur në Amerikë dhe djalin e tyre. Për herë të parë ai e dëgjon emrin e tij në emisionin “most wanted” në Amerikë, ku kërkoheshin personat e kërkuar nga e gjithë bota. Jo larg nga ky moment, FBI gjen gjurmët e Marjan Rrokut që në Amerikë njihej si Jeton Mirakaj.

“Më trokitën në 6 të mëngjesit, unë isha në gjumë. U çova , hapa derën, dhe më thotë: E njeh këtë njeri? Si tip policie dukej. Ta shoh i thashë. Një të dal jashtë më kthyen me shpinë. Dhe më thanë, mos lëviz Marjan. Është hera e parë që dëgjova Marjan pas shumë vitesh” -ka përfunduar rrëfimin ish-agjenti i SHISH, i dënuar përjetë për vrasjen e nënë e bijë.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: