A mund të jetohet në tokë, pa zinxhirin e florës dhe faunës? Një ekspozitë në sheshin Skendërbej, hedh dritë mbi ekosistemin jo si procedurë, por si tërësi.

A mund ta riimagjinoni, mozaikun e Muzeut Kombëtar që nuk pasqyron më historinë e propozuara të Shqipërisë, por pasuritë e florës e faunës? Fondacioni gjerman “Heinrich Boll”, ka bashkëpunuar me artistë e organizata për t’iu dhënë një hapësirë qëndrore, kafshëve e shpendëve, të rrezikuar, të rrallë dhe elementë kyç të ekosistemit dhe për rrjedhojë, jetës në tokë. Qëllimi është që qytetarët të ndërgjegjësohen për to, të kuptojnë rëndësinë e tyre, që kjo peshë e dijes dhe kujdesit mos të jetë vetëm e specialistëve të fushës.

Drejtori i fondacionit, tha se mobilizimi i emocioneve, dëshirave, punës dhe angazhimit të njerëzve, është çelës nëse duam të mbrojmë natyrën. Në këtë rast, mozaiku u përdor si “armë” për fushatën “Shqipëria është biodiversitet”

Në këtë prizëm, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, duke folur për këto pasuri të Shqipërisë tha: Këto asete s’janë të garantuara, presionet nga ndërtimet e paligjshme, turizmi i paqëndrueshëm, përdorimi i tokës dhe ndryshimi i klimës po rriten. Pyetja nuk është nëse Shqipëria do të zhvillohet, sigurisht që po dhe duhet të zhvillohet, ekonomikisht dhe në turizëm. Pyetja është çfarë lloji zhvillimi do të zgjedhë, zhvillim që konsumon, apo që e mbron kapitalin natyror. Kriteret mjedisore, rendi ligjor, procedurat transparente, pjesëmarrja publike kuptimplote, kanë shumë rëndësi, janë të domosdoshme në kuadër të integrimit.

Duke e parë natyrën jo si teknikalitet, por si jetike për jetën në tokë, mozaiku i dizenjuar nga Kleidi Eski merr formë përmes mijëra copërash qelqi. Krahas ekspozitës dhe mozaikut “Shqipëria është Biodiversitet”, një program edukimi dhe ndërgjegjësimi mbi biodiversitetin, me diskutime, shfaqje filmash, aktivitete kulturore e shumë të tjera shoqërojnë ekspozitën, përfshirë teologjinë e ekologjisë në traditat abrahamike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb