Dr. Zana Nikolla, doktoresha e parë shqiptare Gastroenterologe në SHBA, me një përvojë prej disa dekadash në fushën e mjekësisë dhe e specializuar në spitalet më të njohura amerikane, bën thirrje për ndërgjegjësimin e publikut në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë në muajin Mars që është muaji botëror për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Këto ditë publiku u njoh me diagnostikimin e Princeshës së Uellsit me kancer. Ky lajm përkon edhe me muajin Mars që është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e zorrës së trashë. Gjatë këtij muaji dhe jo vetëm, mjekët gastroenterologë dhe ata të përgjithshëm, e po ashtu edhe komuniteti mjekësor fokusohen në ndërgjegjësimin e publikut për këtë sëmundje vdekjeprurëse por të parandalueshme.
Sipas studimeve më të fundit diagnostikimi i kancerit në përgjithësi ka patur një rritje prej 79% nga viti 1990 deri 2019 shoqëruar me rritjen e numrit të vdekjeve me 27%. Kanceri i zorrës së trashë është një sëmundje e shpeshtë. Por të gjitha këto mund të parandalohen me diagnostikim sa më të shpejtë duke rritur shancet e shpëtimit të jetës.
Në SHBA, kanceri i zorrës së trashë, është kanceri i tretë më i shpeshtë për burrat the gratë. Mund të ndodhë tek çdokush dhe kohët e fundit ka patur një rritje të numrit në moshat e reja.
Shumë figura të njohura të artit e politikës kanë patur këtë sëmundje dhe për disa prej tyre ka qenë fatale. Mund të përmend Audrey Hepburn, Darryl Strawberry, Ronald Reagan, Sharon Ousbourne, Ruth Badder Ginsburg and Kristie Alley, disa prej tyre.
Kur Katie Curic, presantuesja e njour e televizionit amerikan, humbi bashkëshortin në moshën 43 vjeçare prej kancerit të zorrës së trashë, ajo u angazhua në një fushatë intensive për të edukuar publikun për parandalimin e kësaj sëmundjeje me procedurën e quajtur Kolonoskopi që mund t’ju shpëtojë jetën. Katie ishte aq e vendosur për të informuar publikun saqë ajo e bëri kolonoscopine drejtpërdrejt në televizionin kombëtar amerikan në vitin 2000. Pas këtij sensibilizimi të drejtëpërdrejtë në ekran, sipas studimit të Universitetit të Miçiganit, pati 20% rritje në procédurat e depistimit me kolonoscopi.

Çfarë është Kanceri i zorrës së trashë osę Kolon-it.
Ky lloj kanceri mund të prekë këdo, por më tepër ata që kanë histori në familje, që kanë predispozicion gjenetik, ose kanë sëmundje që prekin zorrën e hollë apo të trashe si Koliti ulceroz apo semundja Chrohn. Megjithatë mund të ndodhë edhe tek individë që nuk e kanë këto faktorë rreziku. Mosha, djetat e pashëndetshme me yndyrna shtazore e të pakta në fibra dhe fruta e zarzavate, obeziteti e jeta sedentare, diabeti apo pirja e duhanit bashkë me konsumin e lartë të alkoolit, mund të rrisin rrezikun.

Semundja zakonisht fillon me rritje të vogla në murin e zorrës së trashë, në formën e kërpudhave të cilat me kalimin e viteve rriten akoma më tepër e përfundojnë në kancer. Duke i zbuluar herët dhe duke i hequr këto rritje që quhen “polipe” me ndihmën e kolonoscopisë, ne mund të parandalojmë kancerin.

Parandalimi

Testet depistuese për kancerin e zorrës së trashë janë teste të feces, teste endoskopike dhe radiologjike.
Testet që bazohen në fece si Fecal immunochemical test ( FIT), edhe testi për guiac ( gFOBT) janë të lehta për tu bërë, konveniente dhe me kosto shumë të ulët. Multitarget stool DNA test- ndryshe i quajtur COLOGARD kombinon analizen molekulare me teste imunohistokimike per te kapur mutacionet e ADN dhe gjakun ne fece.
Megjithatë Kolonoskopia është metoda më e mirë për zbulimin e kancerit të kolonit.
Mjeku ekzaminon zorrën e trashë me një tub fleksibël me kamera me të cilin jo vetëm zbulohen polipet por edhe mund të hiqen në të njëjtën kohë. Në shumicën e klinikave pacienti vihet në gjumë të lehtë dhe procedura është e rehatshme dhe pa dhimbje.
Një procedurë tjetër e ngjashme Sigmoidoskopia ekzaminon vetëm pjesën e poshtme të zorrës së trashë, prą efikasiteti është i reduktuar në krahasim me kolonoskopinë.
Kolonographia (computed tomography colonography) është një alternativë më pak invazive, por i ekspozon pacientët me radiacion.

Të gjithë testet e mësipërme, përveç kolonokopisë, duhet të pasohen me kolonoskopi nëse dalin pozitive. Prandaj kolonoscopia është testi më i mirë aktualisht sepse jo vetëm zbulon polipet por na jep mundësi t’i heqim në të njëjtën kohë. Në përgjithësi zbulimi i hershëm e ul rrezikun e sëmundshmërisë dhe vdekjeve në rreth 50%.

Duke u bazuar në të dhënat e fundit dhe rrezikun e rritur tek të rinjtë, depistimi tani fillon që në moshën 45 vjeçare. Nëse pacienti ka histori në familje ose predispozicion gjenetik apo semundje si koliti ulceroz, mosha në të cilën duhet bërë kolonoskopia mund të jetë edhe më e re.
Unë do inkurajoja të gjithë njerëzit që të flasin me mjekët e tyre dhe të bëjnë testet që përmenda më sipër. Rreziqet e këtyre testeve janë shumë të vogla por ato mund të parandalojnë një sëmundje vdekjeprurëse. Të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë këtu në SHBA duhet të ndjekin të njëjtat këshilla. Ndonëse dieta jonë është mesdhetare dhe ka shumë fibra e yndyrna të mira, shumë shqiptarë e ndërrojnë pak stilin e jetesës dhe i adoptohen jetës amerikane me dietën përkatëse dhe plus ekzistojnë edhe faktorë të tjerë rreziku që nuk janë të modifikueshëm pamvarësisht se ku jeton duke bërë që rreziku të mbetet i njëjtë. Prandaj depistimi në moshën 45 vjeçare për të gjithë, dhe më herët për personat me rrezik të rritur, është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit.

Dr. Zana Nikolla
Gastroenterologe me klinikën private “Premier Medical Group” në shtetin e Nju Jorkut.
E specializuar pranë Kolegjit të mjekësisë “Albert Ainshtajn” në Nju Jork, Shefe e rezidentëve pranë këtij kolegji, Specializante e gastroenterologjisë në spitalin Bridgeport i asociuar me një nga shkollat më të mira në botë për mjekësinë si “Yale School of Medicine”, e specializuar më tej në “Temple University” në Pensilvani në fushën e motilitetit gastrointestinal. Bashkëautore e shumë studimeve mjekësore në fushën e gastroenterologjisë dhe në bashkëpunim me universitete të njohura si “Columbia University”. Eshtë specializuar me pedagogët më të famshëm amerikanë si Dr. Lawrence Brandt, Dr. Abdelsayed, Dr. Taubin, etj. E vlerësuar me medaljen “Albanian Excellence” si shqiptare e shkëlqyer në arritjet e saj në fushën e mjekësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb