1- Cikli i mbramë i idelogjive ekstremiste në Kontinentin  e Vjetër

-Këshilli i Europës
Në vitin 2011 Këshilli i Europës aprovoi versionin final të Konventës kundër dhunës ndaj grave e asaj në familje (Konventa e Stambollit) e cila përmbante dispozita të dobishme në këtë drejtim. Por paragrafi 3/c i saj që e përkufizonte gjininë si konstrukt social, tekstualisht si “rolet, sjelljet, aktivitetet dhe atributet e ndërtuara shoqërisht që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat” shkaktoi alarm. Gjinia në shqip e në shumë gjuhë të tjera është “Tërësia e tipareve natyrore, që dallojnë mashkullin nga femra dhe që i përcaktojnë secilit rolin e veçantë në riprodhimin e llojit; seks. Gjinia mashkull (femër)” (Fjalori i Gjuhës Shqipe). Fjala seks që në anglisht përdoret në këtë kuptim në shqip e shumë gjuhë të tjera nënkupton aktin dhe aktivitetin seksual po jo gjininë. Ky konfuzion terminologjik u dyshua se u bë me qëllim nga aktivistët ideologjikë të përkrahur nga burokratë të indoktrinuar me qëllim që të detyronin shtetet të miratonin ligje që fshinin kategorizimin natyror mashkull/femër dhe që i hapnin udhë multigjinoritetit e transgjinorizmit; jo si fenomene të jetuara por si norma të imponuara në mënyra të ndryshme duke filluar nga propaganda, e joshja e deri tek detyrimi me ligje e konventa. Në Shqipëri e v2012 kur kjo konventë u ratifikua në Kuvend ky debat nuk ndodhi sepse vëmendja publike ishte fokusuar gjetiu dhe ky rrezik nuk u pa si serioz. Por  në vijim një numër jo i neglizhueshëm shtetesh nuk e nënshkruan ose nuk e ratifikuan këtë konventë. Mes tyre edhe gjashtë shtete anëtare të BE. Të tjerë e kanë ratifikuar me rezerva. Së fundmi, parlamenti i Letonisë votoi para dy muajsh për tërheqjen nga kjo konventa. E gjithë kjo është për të ardhur keq sepse në tërësi Konventa e Stambollit është një tekst pozitiv e i vlefshëm. Por provokimi me paragrafin 3/c e me dy pasazhe të tjera duket se hodhi një pikë vajguri në supë.

-Skocia
Në vitin 2022 parlamenti i autonom i Skocisë miratoi ligjin “Reforma e Njohjes së Gjinisë” i cili, i mundësonte cilitdo që pa procedurë ligjore të shpallej si i gjinisë tjetër të njihej automatikisht nga shteti si i gjinisë së zgjedhur. Shefja e qeverisë krahinore (First Minister)e njëkohësisht liderja e Partisë Nacionale Skoceze, znj. Nicola Sturgeon, e cila kishte udhëhequr fushatën pro këtij ligji, u përgëzua si kampione e progresivizmit të ndriçuar nga media majtiste në Perëndim dhe u përmënd se mund të emërohej në poste të larta në OKB apo të tjera organizata mbas karrierës skoceze. Por në vitin në vijim skandalet në burgjet e Skocisë duket se i zbehën këto shanse: shumë burra të dënuar u vetëdeklaruan femra, e u transferuan automatikisht në burgun e grave ku bënë përdhunime sa mundën derisa i arrestuan e i kthyen në burgun e burrave. (karriera e ish Ministres së Parë Sturgeon duket se mori fund krejt në v2023 kur policia e arrestoi atë dhe të shoqin për abuzime me fondet e partisë; por kjo është temë tjetër). Qeveria britanike e bllokoi me veto këtë ligj dhe më pas Gjykata e Lartë e shfuqizoi tërësisht atë.

-Gjermania
Në v2024 Bundestagu gjerman aprovoi ligjin e Vetëpërcaktimit të propozuar nga qeveria e kancelarit socialdemokrat Scholz, sipas të cilit gjithkush mund të ndryshonte gjininë sipas dëshirës dhe kjo të njihej pa një e dy nga Gjendja Civile. Para këtij ligji procedura parashikonte ekpertizë mjekësore dhe vendim gjykate. Ende nuk kam dëgjuar për skandale si pasojë e këtyre normave të reja por debati gjerman rreth tyre u fokusua tek një pasazh, i cili, sipas kritikëve, ekspozonte hipokrizinë e autorëve të ligjit: pasazhi përcaktonte se ligji humbiste fuqinë në rast lufte: pra në kohë paqe burrat mund të vishnin fustan e këpucë me taka dhe të vizitonin tualetet publike dhe qelitë e burgjeve të caktuara për gra; por kur siguria e shtetit vihej në rrezik pa një e dy thirreshin nën armë të tërë, me ose pa fustan. Partia e ministrit propozues të këtij ligji nuk e kaloi pragun elektoral në zgjedhjet parlamentare të këtij viti ndërsa votat për partitë e tjera të koalicionit të majtë ranë në nivele historikisht minimale. Analistët shohin tek ky ligj një nga shkaqet. Dy partitë që e kundërshtuan ligjin dhe premtuan anullimin e tij kur të mundnin, CDU e AfD, shtuan përqindjen e votave dhe lideri i së parës është sot e kësaj dite kancelari i Gjermanisë.

Këto shembuj, mes shumë syresh, tregojnë ciklin e ndikimit dhe veprimit të ideologjisë (trans) gjinore, të problemeve që ajo sjell por edhe të reagimit korrigjues nga shoqëria me instrumentat kushtetues që ofron demokracia. Por edhe pa ligje specifike por me imponim ideologjik kanë ndodhur paudhësira sidomos në ShBA: meshkuj që garonin në sportet e grave në sajë të konstitucionit fizik superior fitonin medaljet e çmimet; nxënës të mitur që kishin momente konfuzioni identitar nxiteshin nga kujdestarët në shkollë, pa dijeninë e prindërve, të merrnin bllokues të zhvillimit hormonal që të ishin gati për operacion kirurgjik për të ndërruar gjininë. Pothuajse në të gjitha rastet, ky operacion, që përfshinte amputimin e gjenitaleve tek meshkujt e të gjinjve tek femrat, ishte i pakthyeshëm e traumatik për viktimat të cilat përfundonin me një jetë të shkatërruar ose edhe me vetëvrasje.

2-Cikli post-komunist shqiptar i idelogjive ekstremiste
Tek ne, për shkak të kontekstit shoqëror tradicional, të tilla lajme shiheshin shpesh si kuriozitete ekstravagante në vende të largëta  dhe pa pasoja serioze per shoqërinë tonë. Kush mendon kështu duhet të dijë se para 15-20 vjetësh të tilla probleme ishin të paimagjinueshme në Skoci, Gjermani e gjetiu në Europën Perëndimore dhe Amerikën Veriore.

Në mënyrë të ngjashme u veprua edhe me ligjin për barazinë gjinore nga mazhoranca rilindiste e qeverisë Rama. Barazia gjinore njihet në legjislacionin e BE vetëm si barazia social-ekonomike midis burrit e gruas, pra pagë e shanse të barabarta në punë; mutigjinorizmat fatmirësisht nuk përmenden fare. Risia e p/ligjit krahasuar me ligjin e para 20 vjetësh është barazia në numër mes burrave e grave në bordet e kompanive; pjesa tjetër është mbushur me togfjalësha që përmbajnë termin gjini dhe që nuk përkufizohen se çfarë janë, nuk dihet se çfarë kuptimi kanë dhe madje duket sikur qëllimi është konfuzioni terminologjik. Kështu nesër gjithkush mund të thotë çfarë të dojë për përmbajtjen e ligjit, për terma si “identitet gjinor”, “diversitet gjinor”, “përkatësi gjinore e ndërthurur”, “shprehje gjinore gjithëpërfshirëse” etj. dhe askush nuk do të mund ta kundërshtojë dot me argumenta. Dhe ashtu siç ka ndodhur më herët edhe në shtete të tjera kuptimet e paqarta behen gradualisht të qarta e po gradualisht zëvendësojne konceptet fillestate si ato që ka legjislacioni shqiptar për këtë fushē duke filluar nga Kodi i Familjes. Analiza më e profesionale që kam lexuar mbi këtë p/ligj është ajo e Këshillit Ndërfetar: aty shjegohet  fare bindshëm kakofonia leksikologjike që ofron teksti. Por edhe ndërhyrja e pesë komuniteteve fetare, të cilët në përmbajtje ishin në një linjë me opozitën parlamentare, ra në vesh të shurdhër.

Gjithësesi është interesante të vëresh se Qeveria Rama po i hedh këto hapa kur lëvizja idelogjike që promovon këto masa, e njohur si “woke” ndodhet në zbaticë mbas kulmit të saj afro pesë vjet më parë. Në dhjetor 2022 në një shënim timin ku kritikoja një pikturën murale të një transgjinoreje në Qytetin Studenti të paguar nga Bashkia shtroja pyetjen nëse “ofiqarët rilindistë si Veliaj veprojnë kështu në bazë të bindjeve të tyre (nëse kanë brendësuar ideologjinë woke) apo për oportunizëm politik (duke tentuar të marrin përkrahje nga segmentë të komunitetit ndërkombëtar që janë pro wokizmit)” dhe priresha të hamendësoja këtë të dytën. Tashti që wokizmi në ShBA po eliminohet nga Administrata Trump dhe në Europë rezultatet elektorale e viteve të fundit janë një sinjal i qartë se po shkohet në drejtimin e Amerikës, lipset të revizionoj hamendësimin tim dhe me keqardhje të sugjeroj se në partinë e Ramës duket se është konsoliduar një bërthamë wokiste që e cila po përdor pushtetin për të imponuar ideologjinë e vet të dalëkohe. Si Ramiz Alia apo Brezhnjevi në vitet e fundit të tyre në krye të regjimit. Por po ashtu si këta të dy në vitet e fundit të tyre në krye të regjimit kishin ende përkrahje në disa qarqe perëndimore për simpati ideologjike ose për nevojë për stabilitet edhe regjimi Rama ka përkrahësit e tij.

3-dhe viktimat e tyre
Në shënimin e v2022 tregoja për një film të llahtarshëm, prodhim i NPR publike amerikane, të trasmetuar nga TVSh: një gjimnazist diku në New Jersey bind veten e pastaj prindërit të ndërrojë gjini përmes kirurgjisë (AMA i dha vërejtje TVSh-së; administrata Trump 2 e mbylli NPR si ideologjikisht ekstreme). Asokohe kjo propagandë dukej e papranueshme por gjithësesi ekzotike për Shqipërinë. Këto ditë pamë se personazhi amerikan ishte edhe realiteti i të riut shqiptar Ersild Myrtollari, të abuzuar në Shqipëri nga aktivistë ideologjikë e mizorë njëlloj si në atë film. Dhe duhet pranuar që gabuam, nënvleftësuam rrezikun dhe nuk mundëm të shpëtojmë një jetë rinore nga gjymtimi emocional e fizik. Mbetet vetëm të kërkojmë drejtësi për Ersildin dhe të bëjmë çmos që ai të jetë viktima e fundit.

4- Kur Brukseli harron kokën e kap fort bishtin
Sa më lart u demonstrua me një incident sa bizar aq edhe domethënës: një pyetjeje sugjestive të një gazetari “që p/ligji për barazinë gjinore po përkrahej nga Delegacioni BE” kryetari i PD, z. Berisha i dha një përgjigje spontane e të panevojshme duke thënë se shefi i Delegacionit, ambasadori Gonzato, kishte motive personale (Gonzato është rimartuar me një burrë) dhe prandaj ndikonte kësisoj. Mund të thuash që ky koment është faktikisht i vërtetë; mund të thuash edhe se ky koment është i papërshtatshëm: sepse si rregull polemika me ambasadorët nuk është e dobishme (hiq këtu raste të të jashtzakonshme si Yuri Kim, ku shpallja qelbësirë nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese por edhe një detyrë demokratike). Sidoqoftë një mendje e urtë zor se do të rrokte reagimet që provokuan këto fjalë të z. Berisha. Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos, zëdhënësja kryesore e Komisionit Europian (pranë znj. von der Leyen), ambasadorë dypalësh në Tiranë e plot zyrtarë mes këtyre koordinatave dënuan “gjuhën e dhunës” e “sulmet personale” ndaj shefit të delegacionit “të cilat nuk e afrojnë Shqipërine tek BE”. Dikush që nuk ka lidhje me Shqipërinë e informohet nga rrjetet sociale do të konkludonte se Berisha kërkoi linçim publik të ambasadorit; madje miqtë e këtij të fundit me të lexuar tweetet e Kosit & co mund të mobilizoheshin për të ardhur e për të shpëtuar të ngratin Gonzato nga vrasja me gurë ose nga djegia në turrën e druve apo nga ndonjë ndëshkim tjetër i dalë nga Dhiata e Vjetër.

Ekzagjerime qesharake si këto do të ishin e keqja më e vogël. Në fakt Komisioni Europian ka brendësuar më shumë se çdo ekzekutiv tjetër në Europë tezat e ideologjive ekstremiste për gjininë, emigracionin, klimën e të tjera dhe ka hyrë shpesh në konflikt ideologjik me shtetet anëtare të cilat, më afër sensit publik, kanë kërkuar moderacion. Në këtë sens Brukseli  ka ndikuar edhe në shtetet kandidate. Në 2016 tek ne paketa për reformën në drejtësi përmbante një amendim i cili në nenin 18/2 të Kushtetutës ndër shkaqet klasike të mosdiskriminmit si gjinia, raca, feja, etj. shtonte edhe “orientimin seksual”; shumë në Tiranë e shihnin këtë si hilé, si deriçkë për të legalizuar martesën gay dhe kjo ngjalli debate nga deputetët. Sipas proçesverbalit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi kur një anëtar pyeti se çfarë lidhje kishte ky amendament me reformën përgjigja e shefit të ekspertëve z. Rainer Deville ishte sa lapidare aq edhe shokuese: “Nuk ka ndonjë lidhje por shumë vetave në Bruksel do t’ju bëhej qefi nëse ju e miratoni!”. Si pëfundim amendamenti u hoq nga paketa se komplikonte tepër një situatë mjaft komplekse.

Mazhorancat e reja nga qendra tek e djathta në Parlamentin Europian dhe mpakja e të majtës, e cila braktisi programin socialdemokrat (dhe mjedisor) në favor të wokizmave, po e detyron Komisionin të adoptojë orientime më realiste. Por kjo do kohën e vet dhe ndërkohë dëmet do të vazhdojnë edhe në Shqipëri.

Si përshembull një dëm për të cilin flitet më pak: Instrumentalizimi e amplifikimi pa masë nga qeveria i “incidentit Gonzato” arriti kulmin kur mazhoranca rilindiste në Kuvend, me “indinjatë të jashtëzakonshme” ndërpreu befas diskutimet mbi p/ligjin (sërish në mospërputhje me Rregulloren e Kuvendit e në shkelje të praktikës parlamentare) dhe kaloi direkt në votim. Është ironike të shikosh sesi Delegacioni BE indirekt provokon të kundërtën e asaj që predikon: ndërsa z. Gonzato në linjë me progresraportet e Komisionit kërkojnë me të drejtë që puna për reformat europiane në Kuvend të mos përjashtojë opozitën, në emër “të nderit e të dinjitetit” të tij mazhoranca, bën pikërisht të kundërtën me një recidivizëm konseguent. Edhe vetë zoti Gonzato duket se praktikon diçka të ndryshme nga ajo që predikon: jo vetëm takimet në Tiranë të disa delegacioneve nga Brukseli por edhe adresat ku ai shkon për të prezantuar progres-raportin evitojnë opozitën; në kundërshtim me praktikën e Delegacionit gjatë dy dekadave të fundit.

5-Epilog si përherë
Si përfundim debati mbi multigjinorizmat ja vlejti sepse ekspozoi shumë gjëra që publiku ynë lipset t’i mësojë. Dhe pa merak se doli nga vëmendja skandali Balluku: këtë skandal do e kemi mes nesh me javë e muaj të tërë. Sidomos pjesën e parë kur shefi i Ballukut për arsyet e veta rri duarlidhur dhe vuan përbrenda pafuqinë e tij që ka dalë në mexhlis: mbasi nuk merr dot masë ndaj vartëses, e cila e ka quajtur atë vetë me ato llafe që kanë marrë dhenë.

S. Përjashtimi i liderit të opozitës nga Kuvendi për 10 ditë me motivacion fyerjen e ambasadorit të BE është në fakt fyerje për Europën dhe Bashkimin Europian siç i kishim njohur.

*President i Paneuropa-Shqipëri
Ish-ministër e deputet

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb