Prej muajit tetor, familja Çerçizi jeton në ankth dhe pasiguri të vazhdueshme, pasi ka humbur çdo kontakt me djalin e tyre, Mateo Çerçizi, i datëlindjes 2004. I riu u largua nga banesa e tij me shpresën për të emigruar drejt Gjermanisë, në kërkim të një jete më të mirë dhe një të ardhmeje më të sigurt.

Babai i Mateos është bërë sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’ në News24 të moderatores dhe autores, Evis Ahmeti, ndërsa mes lotësh tregoi ditën e largimit. Ai tha se vendimi i vështirë u diktua nga kushtet e rënda ekonomike dhe pamundësia për të ndërtuar jetën në vendin e tij.

Ata tregojnë se Mateo ishte i mbushur me shpresa, por edhe me frikë, ndërsa mori rrugën e emigrimit, duke lënë pas familjen, shtëpinë dhe gjithçka të njohur. Babai tregoi se në nëntor ka qenë telefonata e fundit me të birin, ndërsa në dhjetor kishte telefonuar të vëllanë.
Familja pohon se nuk ka asnjë informacion mbi fatin e tij dhe dyshimet e tyre janë të rënda: ata druhen se Mateo mund të jetë ndaluar nga autoritetet dhe të ndodhet në burg, por mungesa e çdo konfirmimi e bën situatën edhe më të dhimbshme.

“Mateo tha; jam pa punë. Më tha nuk rrihet më këtu. I thash; hajde puno me babin. Në Fier punonte me copa. Këtu më rrinte brenda se nuk kishte ndihej keq. Ai 5-6 muajt e fundit ishte i mbyllur, ma kishin goditur në fytyrë nga shokët e tij. E ngacmonin djalin, e bullizonin. Ndikojnë të gjitha nga pak, se ishim fukarenj. Më pas krijoi disa shokë në Fier dhe më tha; Babi unë dhe mund të vritem, por do iki. Se këtu nuk ka punë. Ishte i rënduar. I vinte keq dhe donte të bënte lekë. I thash; hajde se do punojmë me babin. Do i kalojmë të gjitha. Unë nuk kërkova ndihmë, pasi atij i vinte zor. Unë mundohesha të punoja dhe i thoja; të keqen babi do të mbaj unë. Ne punonim. Dhe nëna shumë. Punon në sera. Ajo thotë; do vras veten. I them; qetësohu, se do vijë djali. Djali iku në tetor. Na mori në nëntor në telefon dhe na tha; babi jam mirë, po punoj. Nuk e mbaj mend se sa ka qenë data kur iku. Ai më tha do iki. Ai ka marrë 100 mijë lekë dhe iku. Se si iku, nuk e di! Ka marrë pasaportë, dhe patentën dhe rrobat e trupit. S’e di nëse është larguar më parë djali nga shtëpia. Gruaja nuk më hapej shumë, pasi kishte frikë mos bëja unë fjalë. Djali më tha se punonte kamerier. Ai tha se jetonte me disa shokë nga Fieri në Gjermani. Djali di italisht se ka qenë të i vëllai. Ai ka qenë pa bërë 16 vjeç, në shkollë në Itali, për të bërë dokumente. E kisha andej me shkollë.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: