Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se vendi i tij nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë.

Ai megjithatë ka paralajmëruar se deri në arritjen e një hapi të tillë duhet të plotësohen një sërë kushtesh.

Franca tashmë i ka dërguar Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, njësi raketahedhëse, topa dhe pajisje të tjera ushtarake dhe është zotuar të dërgojë mjete të blinduara të vëzhgimit dhe luftarake, por nuk ka dërguar tanke luftarake ose armatime më të rënda.

I pyetur në një konferencë shtypi nëse Franca po shqyrton dërgimin e avionëve luftarakë, Macron tha se “asgjë nuk përjashtohet” për sa kohë që plotësohen disa kushte, ndër të cilat përmendi:

1-Pajisjet nuk do të çonin në një përshkallëzim të tensioneve
2-Avionët nuk do të përdoren për të prekur tokën ruse
3-Dërgimi i avionëve luftarakë nuk do të dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze.

Macron tha gjithashtu se Ukraina do të duhet të kërkojë zyrtarisht avionët, ndërsa shtoi se nesër në Paris do të takohet me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Kujtojmë se zyrtarët ukrainas kanë rritur kërkesat për armë më të rënda nga aleatët perëndimorë për të shtyrë forcat ruse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb