Në takimin e mbajtur në njësinë 4, këtë të martë në Tiranë, Ilir Alimehmeti u shpreh se shqiptarët duhet të dalin në shesh në 24 janar dhe t’i thonë mjaft korrupsionit të kësaj qeverie.
Alimehmeti ngriti shqetësimin për situatën në spitale pas mungesës së dritave për disa orë në QSUT, duke denoncuar se që prej tetori nuk kishte kontratë mirëmbajtje të gjeneratorëve. Kjo tha ai është alarmantë, dhe përgjegjësi e plotë është edhe e Ministrisë së Shëndetësisë e QSUT.
“Mungesa e dritave një situatë që nuk mendohej dot. E papranueshme situata në spital. Pamë video, njerëz të panikosur. Kjo është përgjegjësi e drejtorisë QSUT, dhe sigurisht e Ministrisë së Shëndetësisë. Që prej tetorit nuk paska kontratë mirëmbajtje të gjeneratorëve. Gjithçka që ndodhi dje, ishte alarmante, a mund të pranojmë dot që në 2026 të themi do Zoti ka drita në spital. U fol për spitale moderne, por këtu bëhet fjalë për drita, përgjegjësi direkte që shkojnë përtej abuzimeve me fondet. Këta nuk e kishin vënë ujin në zjarr. Në 24 janar duhet të jemi në shesh, t’i themi boll më kësaj qeverie”, tha ai.
