Anulohet protesta e 21 shtatorit, e cila u paralajmërua pak ditë më parë nga sindikalistët, për shkak të mungesës prej 8 muajsh të kontratës kolektive për mësuesit. Gjatë një takimi të djeshëm të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, mes përfaqësuesve të dy sindikatave që mbrojnë të drejtat e arsimtarëve, duket se ngërçi po shkon drejt zgjidhjes.

“Gjatë kësaj jave u zhvilluan takime e bisedime intensive dypalëshe dhe u arrit që procesi i negocimit dypalësh të futet në fazën përfundimtare. Po punohet mbi një draft konkret dhe profesional që do të garantojë edhe interesat social-ekonomike të punonjësve të sistemit parauniversitar të arsimit, por që do të përfshijë masën e madhe dhjetëra-mijëshe të sindikalistëve në procesin e reformimit dhe modernizimit të arsimit në vendin tonë, duke synuar arritjen e objektivit të përbashkët për arsim cilësor dhe krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë nxënësit.

Në këto kushte Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, FSASH, dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit, SPASH do të pezullojnë veprimet sindikale që paralajmëruan se do te zhvilloheshin në ditët e para të javës së ardhshme dhe në vijim”, u shpreh për “Gazeta Shqiptare”, kryetari i FSASH, Xhafer Dobrushi.

Po ashtu, ai ripërsëriti nevojën e kontratës kolektive, si dokumenti i vetëm që mbron të drejtat e 34 mijë mësuesve në punë dhe ka ecur shumë ngadalë. “Fillimi i vitit të ri shkollor, i shoqëruar me probleme në fushën e punësimit, siç janë lëvizjet e shpeshta masive të mësuesve pa kritere ligjore dhe kontraktuale, shkurtimi i vendeve të punës, kriteret e kualifikimit profesional për të ruajtur vendin e punës, etj, e bënë shumë urgjente ekzistencën e kontratës kolektive.

Mund të them se në këta 24 vjet të pluralizmit, mësuesit asnjëherë nuk e kanë ndjerë kaq shumë, si këtë vit, nevojën e mbrojtjes me kontratë kolektive, nevojën e mbrojtjes nga sindikatat e tyre nga veprimet e padrejta antiligjore, korruptive, subjektive, me të cilat u përballën. Mjafton shembulli i këtyre ditëve i mësuesve të shkollës së mesme Hotolisht për ta vërtetuar këtë. Mendoj se kjo gjendje ndikoi drejtpërdrejt mbi punëdhënësin dhe sindi-katat për t’u përqendruar me përgjegjësi në zgjidhjen e problemeve me interes dypalësh, përfshirë edhe përfundimin e negocimit të kontratës kolektive, për ta shpejtuar atë drejt finalizimit të tekstit përfundimtar”, u shpreh Dobrushi.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: