Janë dy skena surrealiste që do të mbahen mend gjatë në memorien e televizioneve në Shqipëri.

Nga njëra anë, Davosi. Një skenë solemne me 19 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota, që asistonin krah presidentit Trump në themelimin e Bordit të Paqes. Kamerat nga e gjithë bota fiksonin skenën, e cila ritransmetohej live në TV shqiptare. Në raste të tilla, komentatorët nuk kanë shumë minutazh në dispozicion për të komentuar çdo pjesëmarrës, por njëra tërheq vëmendjen si e vetmja grua në atë asamble prestigjioze: Vjosa Osmani e Republikës së Kosovës.

Një shqiptare, që të paktën kështu ishte e pranishme aty, në kupolën e planetit, “për inat” të gjithë armiqve të Shqipërisë, duke filluar nga Vuçiçi, i cili mund të ketë pasur në atë moment një ulje tensioni, kur pa në OKB-në e re shtetin e Kosovës para syve të gjithë botës.

Po ai shqiptari tjetër, ku qe? Për një moment kujtova se kamera nuk po e kapte gjithë skenën. E pamundur! Si mund të dalin jashtë “kuadrit” dy metrat e Kryeministrit të Shqipërisë? S’mund të jetë aty krah Trumpit përfaqësuesja e Kosovës dhe jo ai i Shqipërisë?

Përgjigjja e asaj mungese, sa e dhimbshme aq edhe e pakuptueshme për të gjithë ata që e duan Shqipërinë pavarësisht divergjencave të brendshme, vinte nga vetë i interesuari, apo “i bojkotuari”. Në momentin kur presidenti Trump duartrokiste homologët nga të gjitha kontinentet, të cilët e nderonin me pjesëmarrjen e tyre, Kuvendi i Shqipërisë dhe të gjithë ata që po e ndiqnin live në TV asistonin në një shfaqje patetike të kryeministrit të vendit.

Përpara deputetëve që një pjesë mezi i mbanin të qeshurat, një pjesë mbyllnin sytë nga skandali dhe një pjesë gajasnin sikur po dëgjonin personazhin e Sillos të të ndjerit Koço Devole, Rama, me fytyrë dhe zë të vrazhdë, ia kapi seriozisht:
“Pse nuk vajta në Davos? Duhej të bëja një zgjedhje midis ftesës së babait dhe asaj që të prisja vajzën e tij në Shqipëri. Dhe unë zgjodha vajzën, por me lejen e babait ama.”

Ky Kuvend, një ditë, nuk do të jetë më me këta deputetë, as edhe me këtë Kryeministër. Por kjo deklaratë, nga më surrealistet në një vend që pretendon të jetë shtet, padyshim që do të mbetet në arkiva për një kohë shumë të gjatë.

Në deklaratën e tij, Kryeministri e pranoi vetë se, ashtu siç i flitet një qeni në një kolibe që ruan shtëpinë, i paskan thënë se edhe ai do të rrinte aty me një mision të rëndësishëm ruajtës, gjatë kohës që “të zotërit” do të mblidheshin për gjëra shumë serioze që ai s’mund t’i kuptonte. Edi Rama kujtoi se me atë justifikim, përpara asamblesë së popullit, luajti rolin e më të zgjuarit të klasës, rolin e një Makiaaveli që shqiptarët me standard mendor mesatar nuk arrijnë t’ia kuptojnë nuancat e mendimit.

Në të vërtetë, “Makiaaveli” shqiptar ishte në rolin që i shkon më mirë, përkufizuar me shumë art në një shkrim të bujshëm të New York Times më 1948: roli i “idiotit të dobishëm” (useful idiot).

Po a s’e ka menduar Kryeministri i vendit më të korruptuar sot në Europë se ka një shpjegim shumë më të thjeshtë sesa akrobacitë verbale dhe cerebrale që i ofroi mjerisht opinionit publik?

Ashtu si zv.presidenti Vance nuk deshi ta shihte Ramën krah tij në një mbledhje të Aleancës Atlantike në Mynih para disa muajsh, edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nuk ka dashur as ta dëgjojë emrin e shqiptarit Rama, e jo më ta shihte personalisht, në tribunën amerikane të Bordit të Paqes në Davos.

Kush është dirigjentja që organizon axhendën dhe çdo hap e takim të presidentit Trump me një precizion ore zvicerane? Susie Wiles, shefja e kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ishte ajo, së bashku me bashkëpunëtorin e saj të ngushtë Chris LaCivita, që kontribuan gjerësisht në fitoren e Donald Trump falë një fushate elektorale të jashtëzakonshme që ata të dy organizuan. LaCivita ishte ai që, fill pas asaj fitoreje vendimtare për amerikanët, vuri këmbën në Shqipëri, ku i provoi vetë fyerjet, arrogancën dhe, mbi të gjitha, korrupsionin elektoral të Edi Ramës.

Si kujton ky i fundit se këto gjëra mund të harrohen kaq kollaj, si me shkopin magjik të një ishulli përbri Vlorës? Po pse, problem e kishte Susie Wiles që, me përvojën e saj unike në SHBA, të gjente mënyrën më “diplomatike” që axhenda e Trumpit të mos kryqëzonte Kryeministrin e Shqipërisë?

Edhe sikur kjo të dukej a priori e pamundur, meqenëse Rama kishte vendosur të shkonte në Davos thjesht në përgjigje të ftesës së vetë Trumpit për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, zgjidhja u gjet kollaj që kjo të mos ndodhte. Dhe ja që një “axhendë e re” doli nga kapelja e prestigjatorëve amerikanë, për ta bllokuar Ramën në Shqipëri me vizitën e Ivanka Trump në Vlorë, për fat të keq për Ramën, pikërisht në të njëjtën ditë me ceremoninë zyrtare në Davos.

Vetëm Edi Rama mund t’i besojë përrallës që ai tregon. Ku ishte urgjenca që Ivanka Trump të vinte në Vlorë ditën më të rëndësishme diplomatike të babait të saj, i cili është e pakët të thuhet se kishte kaq shumë nevojë të kishte sa më shumë shtete të pranishme në tribunën e Davosit për iniciativën e tij të Bordit të Paqes? Si mund ta privonte Ivanka të jatin nga prania e një shteti më shumë në tribunën e Bordit të Paqes? Si mund të ishte në atë tribunë historike Kosova dhe jo Shqipëria, thjesht sepse Ivanka duhej patjetër të shkonte në Vlorë?

Kush mendje serioze mund ta imagjinojë për një sekondë se i shoqi i Ivankës, Jaredi, në tribunën e Davosit shpaloste energjitë më të fuqishme që bota mbarë t’i bashkohej aty iniciativës së Bordit të Paqes, për të cilën ai vetë ka punuar me muaj të tërë, dhe ajo, Ivanka, për një kapriço për të riparë Vlorën, sabotonte përpjekjet e të jatit dhe të të shoqit duke penguar pjesëmarrjen e Edi Ramës krah 19 të pranishmëve të tjerë të nderuar nga e gjithë bota?

Edi Rama, për një herë të vetme, u tregua sot i sinqertë, kur e pranoi nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë se i kishin dhënë urdhër të rrinte në koliben e tij, që Trump të mos ia shihte “bojën” në Davos.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: