Dinamo do të përballet të shtunën në Shkodër me Vllazninë, në kuadër të javës së 29-të të Superiores, aty ku do të tentojë të marrë më të mirën kundër një prej skuadrave më në formë të momentit.
Veç momentit të keq që e ka rënduar Dinamon shumë psikologjikisht, probleme dhe shqetësime ka edhe në gjendjen fizike të lojtarëve, ku dëmtimet vazhdojnë të mbajnë peng formacionin e trajnerit Daja prej shumë javësh.
Në pak ndeshje, Dinamo ka pasur mundësinë që të ketë formacionin e plotë dhe në Shkodër, pritet që sërish të ketë mungesa në kampin blu. Ledio Beqja dhe Eridon Qardaku pritet të jenë sërish mungesat e rëndësishme të Dinamos, pasi të dy lojtarët janë stërvitur individualisht dhe mungojnë prej shumë javësh në skuadrën e Dajës.
Qardaku pritej të rikthehej në këtë takim duke qenë në dyshim që për Teutën por gjërat duket se kanë ndryshuar sërish dhe mesfushori ende nuk është gati që të zbresë në fushë pasi rrezikon një dëmtim edhe më të rëndë, kushte të njëjta këto me ato të Beqjes i cili mungon.
Probleme ka shfaqur së fundmi edhe Klevi Qefalija i cili u dëmtua në takimin ndaj Teutës dhe është në dyshim për sfidën e radhës ndaj Vllaznisë në transfertë, duke shtuar kështu telashet në mesfushë për trajnerin Daja që duhet të bëjë pa disa nga lojtarët më kryesorë. Sa i përket ndëshkimeve, Dinamo do të jetë me të gjithë lojtarët përveç dëmtimeve, duke mos pasur asnjë futbollist të ndëshkuar apo të pezulluar.
