Avokati Kujtim Cakrani ka njoftuar se nuk do të përfaqësojë më ish-presidentin Ilir Meta, të cilin e përfaqësonte në procesin penal që po zhvillohet në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Përmes një deklarate publike, Studio Ligjore “Cakrani” bën me dije se kishte marrë përsipër mbrojtjen ligjore të Metës më 24 maj 2025, duke theksuar se bashkëpunimi ishte zhvilluar me profesionalizëm dhe angazhim të plotë në mbrojtje të të drejtave të klientit.
Megjithatë, më 29 qershor 2026, studio njoftoi se marrëdhënia klient–avokat ka përfunduar.
Sipas deklaratës, shkëputja e bashkëpunimit ka ardhur si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm mes klientit dhe mbrojtësit ligjor, situatë që, sipas avokatit, u evidentua veçanërisht pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Cakrani thekson se vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionin në fuqi, duke sqaruar se nuk ekziston asnjë konflikt interesi, akuzë apo përplasje mes palëve.
“Vendimi pasqyron thjesht mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, Studio Ligjore “Cakrani” i uron Ilir Metës të gjejë përfaqësimin e duhur ligjor dhe garanton se do të respektojë konfidencialitetin e plotë të të gjitha informacioneve të marra gjatë ushtrimit të mandatit si avokat mbrojtës.
