Banorët e rajonit Luhanks të Ukrainës, i cili është pothuajse plotësisht i pushtuar nga Rusia, thonë se oficerët rusë po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i rekrutuar studentët në universitete dhe institute për të shërbyer me kontratë në Forcat e Armatosura të Rusisë.

Duke qenë se nuk po i shihet fundit luftës në të cilën janë vrarë apo plagosur më shumë se 315.000 burra rusë, prej se filloi pushtimi i plotë në shkurt 2022 sipas vlerësimeve amerikane Qeveria e presidentit rus Vladimir Putin duket se ka për qëllim ta ruajë apo ta rrisë numrin e ushtarëve.

I etur ta shmangë përsëritjen e mobilizimit nga viti 2022, i cili i nxiti qindra mijëra njerëz të ikin nga Rusia, Kremlini po synon të marrë ushtarë me kontratë për ta rritur numrin e trupave në 1.32 milion në vitin 2024.

Në dhjetor 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Seregi Shoigu, ia vuri vetes një synim “top prioritet” që ta ketë një personel me kontratë prej 745.000 vetash deri në fund të vitit 2024, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.

Përpjekjet e Rusisë për rekrutim dhe thirrje në ushtri nuk janë të kufizuara vetëm brenda territorit rus. Derisa është e jashtëligjshme me ligj ndërkombëtar, ushtria ruse synon të rekrutojë burra në pesë rajone ukrainase që Moska pretendon pa asnjë bazë se janë të saj: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson dhe Krimea.

Shumë djem të intervistuar nga Donbas.Realities e Radios Evropa e Lirë në rajonin e Luhanskut, i cili është pothuajse tërësisht nën kontrollin rus, thanë se universitetet dhe institutet janë bërë vende kryesore rekrutimi për forcat ruse. Serhiy, një student 20-vjeçar në një institut në qytetin Luhansk, tha se afishe rekrutimi për shërbime me kontratë në Forcat e Armatosur të Rusisë janë tashmë të “zakonshme” dhe shfaqen në muret e klasave të studentëve.

“Ne bënim shaka se kjo dukej si një mënyrë për të na motivuar, për shembull, ‘nëse nuk mësoni, do t’i bashkoheni ushtrisë’”, tha Serhiy, i cili, njëlloj sikur të intervistuarit e tjerë, kërkoi që të përdorej vetëm emri i tij nga frika për hakmarrje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: