TIRANE – Shtyhet për në datën 30 korrik seanca gjyqësore ndaj biznesmenit Arben Frroku. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e dëshmitarit Arben Ndoka, i thirrur nga gjykata për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda shfaqi në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit Frroku, pamjet filmike të vrasjes së kryekomisar Dritan Lamaj, më 24 shkurt 2013. Pamjet ishin të tre kamerave të sigurisë të instaluara në dy biznese private dhe në një ndërtesë, në zonën ku u qëllua për vdekje me 12 plumba kallashnikovi, ish-zyrtari i lartë i policisë.
Në një nga pamjet, prokuroria pretendon se ka të fokusuar dëshmitarin e mbrojtur të drejtësisë, me identitet të ndryshuar Arben Ndoka. Ai pretendon se ka parë Frrokun në makinën nga e cila u qëllua për vdekje Dritan Lamaj.
I pandehuri Arben Frroku, këmbënguli që prokuroria të shfaqte pamjet e dëshmitarit, të cilin e cilëson një ‘fantazmë’, por prokuroria i bëri me dije gjykatës vendin ku ndodhej ky dëshmitar në raport me vendin ku u vra Lamaj, por për arsye sigurie, pamja ku shfaqet nuk u transmetua.
Arben Frroku akuzohet për vrasjen e Lamajt më 24 shkurt 2013 në zonën e “Vasil Shantos” pak metra larg pallatit ku viktima banonte. Sipas organit të akuzës, motivi i krimit ishin konfliktet mes të pandehurit Frroku dhe viktimës.
