Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu seancën për shqyrtimin e ankimimit të Komisionerit Publik kundër gjyqtares së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Iliba Bezati.
Vëzhguesi ndërkombëtar nuk ishte i pranishëm në seancë dhe kishte kërkuar caktimin e një date tjetër me qëllim që ta monitoronte nga afër procesin.
Për këtë shkak, trupa e Kolegjit vendosi ta shtyjë procesin për në datë 26 qershor.
Sipas raportimeve të BIRN, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 1 mars 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë, Iliba Bezati, pasi rrëzoi dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën.
Komisioni vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.
KPK po ashtu vlerësoi se në 32 denoncime nga publiku dhe nga mediet për shpalljen të pafajshëm apo lehtësimin e pozitave të zyrtarëve të akuzuar apo të pandehurve për vrasje, nuk gjendeshin probleme ose ato nuk ishin objekt i vetingut.
Ballhysa shprehet se e ka ushtruar ankimin për të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkon ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin e subjektit të rivlerësimit Iliba Bezati nga detyra.
