Eshtë padyshim rastësi fatlume historike që duke shembur Murin e Berlinit 36 vite më parë, gjermanët u ndanë përfundimisht nga 9 Nëntorët totalitarë, duke i dhënë më shumë rrezatim shpresëdhënës 9 Nëntorëve të tjerë demokratikë.

9 Nëntori 1989 çimentoi ëndrën dhe vizionin e madh të arkitektit të Europës së bashkuar, Jean Monnet, që kishte lindur më 9 Nëntor 1888 fare pranë Gjermanisë. Më tej, 9 Nëntori i Murit hodhi dritë dhe rivlerësoi pozitivisht 9 Nëntorin e Vajmarit të vitit 1918, të cilin Hitleri dhe nazizmi bënë gjithçka për ta fshirë nga historia dhe faqja e dheut.

Me rrezatimin e tij mbarë europian, 9 Nëntori i ribashkimit të madh i hoqi vizën përfundimtare 9 Nëntorit të Puçit të Mynihut 1923, 9 Nëntorit të Natës së Kristaltë 1938 dhe Nëntorëve të tjerë që totalitarizmi i zi, blu dhe i kuq do të montonin me dhunë, gjak dhe krim në gjysmën tjetër të Gjermanisë dhe në vende të tjera lindore.

Ja pse, veç atyre që jetojnë atje, kujtdo që i ka rënë rasti të ndodhet në Gjermani gjatë javëve dhe ditëve të përkujtimit të kësaj dite të shënuar, sidomos në Berlin, me siguri e ka ndjerë atmosferën e kësaj feste.

Ajo ndihet kudo, nëpër kryeqytet, në institucione, në galeritë e artit dhe në ekspozitat e shumta, në personazhe dhe kujtime, në punimet për restaurimin e fragmenteve të mbetura të Murit, te Muzeu i Murit të Berlinit dhe në veprimtari të tjera të shumta. Media gjermane i dedikojnë rubrika, emisione dhe programe të posaçme kushtuar Murit. Vend qëndror në to ze edhe kontributi i njerëzve të thjeshtë në rrëzimin e Murit. Kjo pasi, siç është shprehur Kancelarja Angela Merkel “Historinë e bëjnë njerëzit e thjeshtë, me hapa të vegjël por të sigurt”.

Ashtu si këto vitet e fundit, këtë klimë festive kam patur rastin ta shikoj dhe ta shijoj më shumë gjatë qëndrimit për 5 vite në Berlin në fillimin e viteve 2000, kur isha diplomat në Ambasadën tonë. Me mbresa dhe emocione të pashlyeshme.

Kështu, në Nëntor 2009, me rastin e jubileut të 20 Vjetorit të rënies së Murit të Berlinit shkova në Berlin i ftuar nga miqtë e mi atje, meqenëse po bëja gati për botim librin “Berlini pa mure” (TOENA, 2009)
Krahas shumë veprimtarive të tjera jubilare, në ato ditë po i jepej dora e fundit “Stafetës Akustike” të rregjizorit të njohur gjerman Uli Jekle. Ishte emocionuese për ne si shqiptarë të mësonim se nga 315.000 tituj vjershash, këngësh e poezish “anti-mur” të mbledhura në të gjithë Europën, Jekle kishte përzgjedhur 60.000 titujt më të mirë, të cilët u recituan gjatë një maratone të vërtetë artistike për disa ditëve me radhë nëpër skenat e Berlinit.

Ndër to spikaste edhe Kënga shqiptare “Toka e Diellit” e interpretuar me shumë mjeshtëri në Festivalin e Këngës në Radio dhe Televizion në vitin 1990 nga Rita& Frederik Ndoci, Manjola Nallbani, Morena Reka dhe Dashnor Diko. Një këngë e gjallë dhe entusiazte që shpaloste flladin e ri që solli ribashkimin gjerman dhe europian.

Ndërsa më 8 Nëntor, krahas shumë veprimarive të tjera që u organizuan gjatë muajit tetor, me rastin e 35 Vjetorit të ribashkimit gjerman (3 Tetor) gazeta prestigjioze berlineze “Tagesspiegel” organizoi një konferencë të gjerë me praninë e 750 personaliteteve, përfaqësuesve të artit, kulturës, politikës dhe njerëz të thjeshtë; aty u shkëmbyen ide dhe mendime qytetare mbi 36 vitet post mur, arritjet dhe sidomos sfidat me të cilat ndeshet shoqëria në Berlin, Gjermani dhe në Europë, si pasojë e ringjalljes dhe ringritjes së mureve të rinj ndarës dhe pengues. Për fat të keq po ndodh ajo që ka paraparë shkrimtari nobelist gjerman Gϋnter Grass se “Gjermania e ribashkuar është më e ndarë se kurrë”.

Jo vetëm kujtim
Gjithsesi, 9 Nëntori 1989, epokal siç ishte dhe mbetet ishte gabim që u konsiderua si stacioni fundor i rrugtimit demokratik. Këtë ide përcjell në librin e tij historiani i mirënjohur gjerman Eckart Conze Scourge në librin “Në kërkim të sigurisë” (Suche nach Sicherheit). Isha i pranishëm në ceremoninë e promovimit të këtij libri të zhvilluar në mjediset e MPJ-së gjermane, ku Kryediplomati i atëhershëm dhe Presidenti i sotëm gjerman Frank – Walter Steinmeier theksoi se “ne duhet të shfrytëzojmë më shumë forcën e madhe të atëhershme në kërkim të një përparimi të ri”; 1989 nuk duhet të jetë pika fundore e përparimit, por vetëm pika e fillimit dhe udhërrëfyesi për më tej.”

Gjatë atyre ditëve në Berlin u promovua edhe Albumi me mijra fotografi nga ngjarjet e Murit, nga ngritja deri në rrëzimin e tij, në dy gjuhë, gjermanisht dhe anglisht, me një parathënie të Kancelarit Kohl.
Ndërkohë, si çdo vit, edhe tani në pjesë të ndryshme të Berlinit, sidomos përgjatë ish-Murit janë çelur ekspozita me pamje dhe fotografi mbi Murin që janë shumë tërheqëse, sidomos për brezin e ri që nuk ka qenë dëshmimtar as në ngritjen dhe as në rrëzimin e tij.

Balanceakt
Kështu e ka titulluar veprën e tij apel në Berlin, skulptori më i madh bashkëkohor gjerman, Stephan Balkenhol. Ajo është vendosur përpara godinës së Shtëpisë më të madhe botuese gjermane, “Axel Springer”. “Shtëpia e Madhe e Lirisë” siç njihet u ngrit 66 vjet më parë, pothuajse ngjitur me Murin që vetëm një vit më vonë do të ndante sektorin sovjetik të asaj kohe.

E derdhur në bronz dhe afro 8 metra e lartë vepra paraqet një djalë me këmishë të bardhë dhe pantallona të zeza, duke kaluar në drejtpeshim mbi një fragment të Murit original të Berlinit, me vështrimin nga e ardhmja. Simbolika e emrit të skulpturës” Balanceakt” pra “Akt Ekuilibri” është se “ Rënia e Murit ishte një bekim, por kujdes, pasi muret ngrihen çdo ditë edhe në kokat tona”. Kësisoj, njeriu mbi mur simbolizon triumfin njerëzor mbi aktet e ndarjes por dhe nevojën e ruajtjes së ekuilibrit në ndërtimin e demokracisë.

Dhuratë për Lirinë
Gati 20 vite më parë, për t’i dhënë një tingëllim të veçantë përkujtimore Murit, gazeta e madhe gjermane “Bild” me mbi 11 milionë shikues filloi dhe e ka kthyer në një traditë të bukur nismën e saj simbolike – dhurimin e një fragmenti origjinal të Murit të Berlinit për të 16 landet gjermane. Këto fragmente muri janë vendosur si statuja në sheshet apo pikat qëndrore të këtyre landeve. Mesazhi që ato do të përcjellin është se “Muri që më parë ndante Gjermaninë, sot është simbol i forcës së lirisë dhe vetëvendosjes; ai shërben edhe si kujtesë për garancinë e përhershme se kurrë nuk do të ketë më mure të tillë”.

Ndërkohë, ka kohë që fragmente të këtij Muri ndodhen në formën e një statuje të tillë në shumë vende të botës. Ato ndodhen në SHBA, Presidentët e mëdhenj të të cilit, sidomos Kenedi dhe Regan i dhanë goditje dërmuese këtij Muri dhe mureve të tjerë; ato ndodhen në Bibliotekën e Ish-Presidentit Ronald Reagan, në Universitetin “George Bush” në Teksas, etj; një kujtim të tillë e kishte edhe Gorbaçovi.

Gjithashtu fragmente muri janë vendosur në selinë e Shenjtë në Vatikan, në Francë, Itali, Australi, deri në Kosta Rika dhe Venezuelë. Relike të tij në formën e suvenireve në përmasa më të vogla ndodhen kudo, ato i kanë sjellë edhe në Shqipëri me qindra e mijra shqiptarë që kanë qenë në Berlin.

Biznes relikesh
Ish-lideri gjermanolindor Erich Honecker ka vdekur para 31 viteve, pasi u dënua për krimet e tij e të rregjimit. Mjaft prej objekteve-relike të përdorura prej tij tashmë janë kthyer në objekte biznesi; një biznes me simbolikë të veçantë, por me leverdi. Kështu, vite më parë u gjet i braktisur në fshatin Harbke, në Landin e Saksonisë, ish- avioni qeveritar 4 motorësh “Illushin 18” me të cilin Honekeri ka fluturuar nga viti 1960 dhe deri në vitin 1988, kur avioni u hoq nga përdorimi. Nga ai vit dhe deri më 1995, avioni ishte përshtatur si restorant; por, meqenëse pronari i tij do të dilte në pension, ai ia shiti afaristit të apasionuar holandez, Ben Thijssen me çmimin 25.000 Euro.

Ky i fundit investoi 450.000 Euro dhe e ktheu avionin e Honeckerit në një mini Hotel luksoz me 5 yje, te pajisur me kuzhine, bar, pishinë, me aksesorët e tjerë moderne dhe me një sallë konferencash për 15 vetë. Avioni – hotel është vendosur në pjesën lindore të Amsterdamit, në aeroportin Teugen. Tarifa për një natë, ku përfshihet edhe mëngjesi luhatet nga 350 – 500 Euro. Sa sfidë e bukur ndaj diktaturës ! Ca më tepër kur kujton deklarimin butaforik të Honeckerit, një muaj përpara rënies së Murit, se “ kufijtë gjermanë – gjermanë nuk do të ndryshojnë as për 50 dhe as për 100 vitet e ardhëshme!”

Kanoçja Anti – Mur
Këtu e 50 vite më parë, mendja krijuese e shqiptarëve krijoi një kanoçe të famshme, e cila i ndihmoi ata të kapërcenin “muret” e izolimit. Ndaj, u pëlqeu të gjithëve dhurata me simbolikë të veçantë që kantautori dhe moderatori ynë i shquar Ardit Gjebrea i bëri gjigandit të televizionit Italian, të ndjerit Pipo Baudo, më 21 Qershor 2009. Këto lloj kanoçesh sajoheshin për të bërë të mundur “kapërcimin e zhurmuesve të rregjimit të atëhershëm komunist, kapjen e sinjaleve të televizionit italian, ndjekjen e festivaleve të mirënjohura të viteve 60 – 70, të Sanremos e plot aktiviteteve të tjera. Pipo Baudo u mrekullua vërtet nga kjo dhuratë. Pasi pa dhe një pjesë baleti, që tregonte simbolikisht se si disa të rinj mundoheshin të mbanin sa më mirë antenën që të ndiqnin këto lloj emisionesh, ai i habitur pyeti: “D.m.th, gjithë ky Pipo i madh futej këtu, në këtë kanoçe të vogël që ta shikonit ju?! Eshtë dhurata më e bukur që kam patur ndonjëherë “ – tha ai me emocion të madh.

Muri si Best Seller
Por, padyshim, biznesi më simbolik dhe fitimprurës është ai i relikeve të Murit. Kushdo që shkon në Berlin joshet nga numri i madh i njësive ku ato shiten prej 36 vitesh, në formën e suvenireve të ndryshme. Volker Pawlowski, është afaristi më i madh dhe i suksesshëm i tyre. Ka 35 vite që merret me këtë biznes, duke furnizuar 90 për qind të këtyre relikeve.

Historia e biznesit të tij historik dhe fitimprurës është tejet interesante. Pawlowski ishte punëtor i thjeshtë në RDGJ. Kur u shemb muri njerëzit vraponin ta shembnin atë dhe të shkatëronin çdo pjesë tëtij me urrejtje; por pa menduar më tej për historinë e nesërme të murit dhe dëshmitë e tij historike.

Pikërisht aty, Pawlowski ndërhyri me shumë lutje dhe trysni ndaj njerëzve që t’ia jepni atij coprat e murit dhe mos t’i çonin dëm. Derisa më në fund ia doli mbanë. Ai krijoi kompaninë e vet, e cila ka 35 vjet që merret me mbledhjen dhe sistemimin e fragmenteve të murit,, me pâketimin e tyre dhe shitjen në butikat e ndryshme në Berlin dhe gjhetkë. Natyrisht duke pajisur bleresit me cerfikatën origjinale.

Kësisoj, Pawlovski ka mbledhur gjithandej nëpër Berlin, copra të Murit me një gjatësi prej 300 metra, 3.6 metra të lartë dhe me peshë 2,6 ton. Ai pohon se pavarësisht nga kriza ekonomike, biznesi me reliket e Murit vazhdon të jetë një “best seller” i vërtetë. E duke parë lulëzimin e këtij biznesi, mëndja të shkon sërish tek muret, bunkerët dhe absurditetet e tjera të rregjimit tonë të kaluar.

Ndaj me të drejtë poeti ynë i madh, Xhevahir Spahiu, duke e parë edhe vetë këtë dukuri komerciale gjatë një vizite në Berlin në vitin 1992, e mbyll vjershëm e tij “Shitja e Murit të Berlinit” me këto vargje tingëlluese, një referim tejet i gjetur me të kaluarën e vendit tonë plot mure dhe gardhe.

Blini!
Dy marka copën, blini!
Pjesë nga skeleti i një përbindëshi?
Jo, gurë nga Muri i Berlinit.

Po ne, kur do të shesim murin tonë,
Shitja e absurdit është biznes i modës.
Do të bëhemi më të pasurit e botës!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb