Sulmuesi dardan, Vedat Muriqi u vlerësua si lojtari më i mirë i muajit në La Liga. Në një intervistë të dhënë për “IB3”, Muriqi nuk fshehu dot lumturinë.

“Nuk kam asnjë dyshim mbi faktin se Mallorca do të qëndrojë në La Liga. Tifozët kanë të drejtë që na kritikojnë, por u them të gjithëve se nuk është momenti për t’u dorëzuar. Si ne, lojtarët, edhe tifozët nuk duhet që të heqim dorë tani. Duhet që të qëndrojmë së bashku me drejtuesit dhe secili të bëjë pjesën e vet pasi vetëm kështu do të shikojmë dritë në fund të tunelit.

Fakti që përmendi drejtuesit bëri që gazetari të pyeste Muriqin, nëse skuadra kishte nevojë për të hyrë në merkato. “Kemi nevojë për përforcime dhe shikoj se jemi vonë në këtë drejtim, duhet të kishim sjellë lojtarë më herët, kemi nevojë për futbollistë me përvojë, jemi në një moment kur kemi nevojë për njerëz që kanë kaluar dhe jetuar këto ditë në karrierën e tyre.

Një tjetër argument interesant ishte edhe ai sa i përket këpucës së artë në La Liga. Muriqi më 14 golat e tij është sulmuesi që i “kërcënon” fronin Kylian Mbappé, i cili është në kuotën e 21 golave të shënuar. “E pamundur që të konkurosh me një lojtar si Kylian Mbappé. Ai i përket një bote tjetër, për mua do të ishte fitore nëse do ta mbyllja sezonin në pozicionin ku jam tani. Në rast se dal i dyti në renditjen e golashënuesve të La Liga do të festoj si të isha i pari”, u përgjigj Muriqi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb