Të shumta janë rastet e infektimeve me murtajën e bagëtive në vend.

Raste të tilla nuk kanë munguar edhe në qarkun e Korçës, ku Demirali Latollari, përgjegjës i shërbimit veterinar ka bërë me dije se katër ditë më parë është konstatuar vatër infeksioni në fshatin Shuec.

“Katër ditë më parë është konstatuar vatër infeksioni e murtajës te bagëtitë e imta në tufën e blegtorit Florian Bode në fshatin Shuec të bashkisë Devoll. Fermerit të prekur i kanë ngordhur 13 bagëti në tufën me 170 krerë. Pas njoftimit të Shërbimit Veterinar të Korçës, specialistët kanë mbërritur në Shuec, ku kanë konfirmuar sëmundjen e murtajës dhe po marrin masa për asgjësimin e bagëtive të prekura. Nga kontrolli në ferma të tjera në nivel qarku nuk janë konstatuar vatra të tjera.

Në një perimetër prej 3 km, që përfshin Shuecin, Rakickën dhe Zagradecin, është vendosur karantina veterinare, për shkak të rrezikut të lartë të infektimit. Vendosja e karantinës ndalon lëvizjen e bagëtive nga kjo zonë në zonat e tjera.

Fermerët duhet të kenë kujdes dhe të mos shesin apo blejnë kafshë në këtë periudhë në tregje. Murtaja e bagëtive, edhe pse përhapet shpejt te bagëtitë e imta, nuk paraqet rrezik për përhapje te njerëzit dhe as te kafshët e tjera”, tha ai.

Ndërkohë vetë fermeri ka deklaruar për Neës24 se dëmi ekonomik që ka pësuar ka qenë kolosal.

“Është një dëm shumë i madh ekonomik është katastrofë për ne. I bëjmë thirrje shtetit me aq sa të mundet të na ndihmojë sepse kjo ishte e e vetmja e ardhur me të cilat mbanim familjen. Kam humbur 20 milionë lekë që kam blerë ato bagëti. Nuk kemi as toka që të mbjellim sepse nuk kemi ujë për vaditje. Nuk e dimë nga vijnë këto sëmundje. Shteti të marrë masa”, shprehet ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb