GREQI– Tre persona kanë humbur jetën në Athinë, pasi janë pickuar nga “Mushkonja e Nilit të Lindjes”. Autoritet greke bëjnë me dije se deri më tani të infektuar janë 60 persona, të cilët po mbahen nën monitorim.

Prej këtyre personave 16 ndodhen të shtruar në spital, ndërsa disa prej tyre siç raportojnë mediat greke janë në gjendje të rënduar.

Ky lloj infeksioni u zbulua në Greqi muajin e shkuar.

“Ftojmë publikun të bëjë shumë kujdes duke mos neglizhuar asnjë lloj pickimi”, paralajmëruan autoritetet greke të shëndetësisë.

Vdekja e tre personave nga pickimi i “Mushkonjave të Nilit të Lindjes” nuk është një fenomen i ri për vendin fqinj. Vitin e shkuar ky virus vdekje prurës u mori jetën 5 personave nga 48 që u paraqitën në spital.

Ky lloj virusi i shpërndarë nga mushkonjat ka simptomat e gripit, por situata e të prekurve rëndohet në mënyrë ekstreme, duke i çuar të prekurit në gjendje kome.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb