Muzikanti irlandez dhe fituesi i çmimit Oscar, Glen Hansard, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare pas një aksidenti me motor në Dublin.

Aksidenti
Aksidenti

Sipas autoriteteve, aksidenti me një automjet të vetëm ndodhi në zonën Lower Road në Lucan, në perëndim të Dublinit, dhe u raportua tek shërbimet e emergjencës pak para orës 04:30 sipas orës lokale.

Hansard u bë i njohur ndërkombëtarisht pas rolit të tij në filmin muzikor The Commitments (1991), ndërsa për dekada ishte vokalisti i grupit rock The Frames. Në vitin 2008 ai fitoi çmimin Oscar për Këngën më të Mirë Origjinale me këngën “Falling Slowly”, të realizuar së bashku me Markéta Irglová për filmin Once.

Dyshja publikoi gjithashtu tre albume si The Swell Season, ndërsa Hansard pati sukses edhe si artist solo. Albumi i tij Didn’t He Ramble u nominua për një çmim Grammy.

Në një deklaratë, kompania e menaxhimit ATC Management tha se familja e artistit ishte “thellësisht e tronditur dhe me zemër të thyer”, duke falënderuar shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre të shpejtë.

Përveç karrierës muzikore, Hansard njihej edhe për angazhimin e tij humanitar. Babai i një djali trevjeçar, ai organizonte çdo vit një koncert bamirësie në natën e Krishtlindjeve në qendër të Dublinit për mbledhjen e fondeve për njerëzit e pastrehë. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë artistë të njohur si Bono, Sinéad O’Connor dhe Shane MacGowan.

Organizata bamirëse Simon Community e përshkroi vdekjen e tij si një humbje të madhe, duke theksuar se trashëgimia e Hansard nuk do të mbetet vetëm në muzikë, por edhe në përkushtimin e tij ndaj drejtësisë sociale dhe ndihmës për njerëzit në nevojë.

Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi reagime të shumta në botën e muzikës. Bruce Springsteen shkroi se ishte “zemërthyer”, duke e cilësuar Hansardin një muzikant të shkëlqyer, mik të mirë dhe njeri bujar.

Edhe Ed Sheeran i bëri homazh artistit irlandez, duke e përshkruar si “një njeri të jashtëzakonshëm dhe një forcë të rrallë”, ndërsa shprehu ngushëllimet e tij për familjen dhe të afërmit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb