Në një komunikim me gazetarët një ditë para Krishtlindjes, kryeministri Edi Rama zbuloi nismën më të fundit, atë të këshillimit me qytetarët shqiptarë për disa nga temat më të rëndësishme, që prekin vetë shoqërinë.

Kryeministri zbuloi disa nga temat kryesore që do iu drejtohen qytetarëve, përmes një pyetësori, që nga pandemia deri te Vettingu. Kështu, Rama theksoi se shqiptarët do të pyeten nëse duhet bërë me detyrim vaksinimi apo jo, dhe në bazë të përgjigjeve të tyre, do të merret edhe vendimi final.

Sa i takon vettingut, Rama sulmoi hapur një gjyqtare, emrin e të cilës tha se nuk e mban mend, për të cilën tha se ka marrë një vendim skandaloz vetëm një javë para se të largohej nga Vettingu.

Pjesë nga fjala e Ramës:
Natyrisht që në pamje të parë duket sikur konsensusi lidhur me këtë është logjik, por nga ana tjetër së pari ne duam të sigurohemi që kemi këtu jo mbështetje të një shumice që na ka votuar për të qeverisur, por një shumice përtej saj, pa u ndarë në ‘tanët’ dhe ‘të atyre’. Ndaj gjithë ky pyetësor shkon në këtë drejtim. Duhet të kemi parasysh se shtëpisë së përbashkët i vijën dëme pikërisht nga ndasia dhe sherri politik.

A duhet që ndërkohë që kontributet për pensionistët janë domosdoshmëri jetike për të rritur bazën e mbështetjes për pensionistët, ndërkohë që ka njerëz që thonë se pensionistëve që vazhdojnë punën nuk u duhen kërkuar kontributet. Në këtë mënyrë, mendojmë se është rruga e duhur për të adresuar qytetarët. Më tutje akoma është një temë tjetër shumë kontraverse, por me një potencial të madh, qoftë për të marrë të mira të përbashkëta, por qoftë edhe për t’u futur në një zonë rrezikshmërie, sic është tema e amnistisë së plotë për të gjithë emigrantët, që duan të formalizojnë kursimet e tyre.

Kultivimi dhe monitorimi i kanabisit për qëllime mjekësore është sot një instrument që shumë vende po e përdorin për të fuqizuar ekonomitë e tyre, ndërkohë që sot në Shqipëri ka ende njerëz që thonë se nuk është ende koha që vendi ynë të hyjë në këtë proces. Edhe unë kam qenë një ndër ta, por duket se ne nuk mund të presim më. Kjo është një vendimmarrje, që neve na duhet më shumë se bindja jonë. Na duhet të kapërcejmë përtej kartonit, përtej shumicës, dhe të marrim një mendim nga të gjithë shqiptarët.

Një temë tjetër është ajo e pandemisë. Ka një frustrim të madh, sepse kjo po zgjat, po bëhet e lodhshme, sepse rreziku për jetën është aty. Ka plot njerëz që thonë se Shqipëria duhet të vendosë detyrimin që qytetarët të paraqesin certifikatën e vaksinimit në hapësira publike të përbashkëta apo të mbyllura, por një pjesë tjetër thotë se kjo është një praktikë që kufizon liritë e të drejtat dhe nuk duhet të jetë e detyrueshme. Edhe këtu ne duam të shkojmë përtej kartonit. Është një vullnet edhe për të ndryshuar vetveten, në një mandat të tretë që në mënyrë domethënëse ndikon edhe mbi ne, edhe mbi mua, për t’u hapur më shumë, duke dëgjuar më shumë.

Kalojmë te biznesi i madh, që është targetuar si një shfrytëzues, si një gogol. Tema është që biznesi i madh është edhe aktori më i madh në vite i evazionit fiskal. Janë jo pak njerëzit që kërkojnë që biznesi i madh, kur bën evazion, të goditet pa mëshirë. Kjo do të thotë ashpërsim i konsiderueshëm i masave që cojnë në penalizime, deri në humbje të lirisë të biznesmenëve të mëdhenj, por edhe gjoba ndaj tyre. Edhe për këtë ne duam të dëgjojmë shqiptarët.

Për pastrimin ne kemi nevojë të flasim më shumë se shumica, por duam të dimë çfarë mendon e gjithë shtëpia, duam t’iu japim zë të gjithëve. Nuk është imponues, por është një këshillim, një odë e madhe e shqiptarëve.

Kemi një temë tjetër për të cilën kemi hasur problematikë, ku hyn dhe faktori ndërkombëtar. Problematika është se nga njëra anë ne mendojmë se gjyqtarë e prokurorë që nuk e kanë kaluar Vettingun, por që marrin vendime, duhet të pezullohen urgjent. Kemi pasur disa raste të vendimeve të mostrave, që kanë tronditur shoqërinë. Ju jap një rast, angazhohet qeveria për të ndërtuar qendrën kombëtare të fëmijëve, te ish-Garda e Republikës, bën projekt, jep financimin, prona është e shtetit dhe çfarë ndodh? Në momentin kur ne jemi gati të fillojmë punën na del që një gjykatëse ka bërë sigurim padie mbi këtë pronë për një subjekt privat që në të shkuarën i ka humbur të gjitha gjyqet. Rasti konkret është që kjo gjykatëse jep këtë vendim një javë para se të largohet nga Vettingu. Kjo gjykatëse, emri i të cilës nuk më kujtohet, por që do ja them në publik, duhet të thirret sot nga SPAK, siç duhet të thirren të gjithë ata që nuk e kanë kaluar Vettingun, dhe duhet të shkojnë para gjyqit, sepse kanë grabitur njerëzit duke shitur e blerë të drejtat. Këta duhet të pezullohen automatikisht, kur janë vendime që skandalizojnë gjithë shoqërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb