Kryeministri Edi Rama ka deklaruar me bindje se fitorja në zgjedhjet e 11 majit është e padiskutueshme, ndërsa fokusi i vërtetë, sipas tij, është te përmasat e kësaj fitoreje dhe fuqia që do të marrë qeveria në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian.
Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë nëse Shqipëria do të ketë një përfaqësim të thjeshtë numerik apo një mandat të fuqishëm popullor për të çuar përpara objektivin strategjik të integrimit në BE deri në vitin 2030.
“Nuk është pyetja a do të fitojmë por sa. Përgjigja është nuk ka diskutim që do të fitojmë. Çfarë fuqie do të na japë populli shqiptar më 11 maj. Çfarë fuqie do të kemi në tryezën e negociatave? Do të jemi thjeshtë një qeveri e përfaqësim që buron nga aritmetika apo përfaqësi me mbështetje popullore më të mëdha se kjo që jemi sot? Nëse fitojmë aq sa kemi sot, ose më pa, 71-74, kemi fituar zgjedhjet por nuk kemi marrë fuqi të shtuar. Çdo gjë mbi këtë është fuqi e shtuar. Jemi duke kërkuar mbështet për Shqipërinë në BE në 2030. Ata po e ndjekin të gjithë procesin për të kuptuar nëse Shqipëria në BE ka mbështetje të gjerë apo është vetëm shumica e PS dhe Ramës”, tha ai.
