Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka shpallur në kërkim dy shtetas, Xh. S., 27 vjeç, dhe I. Gj., 40 vjeç, pas kallëzimit të bërë nga vëllezërit e kandidates për deputete të Partisë Socialiste, K. N. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 4 maj 2025, kur dy persona, shtetasit E. N. dhe D. N., njoftuan se ishin ndjekur dhe kanosur me armë nga dy automjete të tjera, ndërsa ndodheshin në fshatin Dajç.

Vëllezërit e kandidates K. N. raportuan se kanosja kishte lidhje me fushatën elektorale të motrës së tyre. Pas këtij njoftimi, Policia e Lezhës nisi hetimet dhe, pas veprimeve të para, dyshon se autorët e kanosjes janë shtetasit Xh. S. dhe I. Gj. Hetimet janë ende në vazhdim për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që shërbimet e Policisë po punojnë intensivisht për kapjen e tyre.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .

Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: