Nga Igli Çelmeta
Ky nuk është thjesht një objekt. Pas këtyre mureve është djersa dhe mundi i dhjetëra gazetarëve, redaktorëve, kryredaktorëve, operatorëve, montazhierëve, shoferëve, punonjësve të teknikës, regjisë e transmetimit të News24. Është puna e njerëzve të ndershëm që çdo ditë janë përpjekur të japin më të mirën, duke i qëndruar besnikë të vërtetës dhe duke qëndruar gjithmonë në krah të qytetarëve.
Sot, për mua si gazetar, ishte një nga ditët më të vështira të jetës sime profesionale. Pashë derën e televizionit ku punoj të mbyllur me dry, nga forca e pushtetit. U munduam të hynim “live” në YouTube, vetëm që t’i tregonim publikut se nuk ishim në transmetim jo për fajin tonë. U futëm live në youtube. Lotët e drejtoreshës Anila Jole më prekën shumë dhe na tronditën të gjithëve dhe u transmetuan dhe te ne si një dhimbje brenda një familje. Nuk ishin lot për muret e një godine, por për lirinë e fjalës dhe shprehjes, për mundin e shumë viteve pune të ndershme, për të ngritur një emër që sot e njeh çdo shqiptar, News24.
Ne kërkonim të hynim në godinën tonë të redaksisë. Kjo godinë e re, e cila nuk është nën administrimin e kompanisë “Kajo”, por i përket “Panorama Group”, me kontratë qiraje deri në vitin 2033, e tha zyrtarisht edhe ministria e Ekonomisë. Aty ndodhet redaksia e News24 dhe studioja e lajmeve. Megjithatë, padrejtësisht na u ndërprenë dritat dhe sinjali. Pse? Sepse nuk donin që ne të ishim live, që publiku të shihte ndërhyrjen e tyre në godinën tjetër, në një orë të paprecedent, 6 të mëngjesit të një të shtune.
Qëndruam me orë të tëra te dera e televizionit. Kur policia u largua dhe më pas erdhi ushtria me policinë ushtarake për ta mbyllur sërish, shumica u nisën të ktheheshin në shtëpi. Por unë nuk ndjeja dot këmbët të më largonin. U ula te porta dhe ndjeva se po të ikja, ishte sikur po largohesha nga shtëpia ime, nga familja ime. Sepse News24, për të gjithë ne, është bërë një familje. U ula aty, në pragun e një dere që për mua nuk është thjesht vend pune, por shtëpi.
Teksa qëndroja para derës së mbyllur ajo që po mendoja ishte:
Një familjeje mund t’i heqësh strehën, por nuk mund t’i ndash zemrën, dashurinë, besimin dhe përkushtimin. News24 do të mbetet gjithmonë një familje e fortë edhe nëse na lënë pa mure, pa çati, ne do të jemi gjithmonë aty për të thënë të vërtetën dhe për të qenë pranë publikut shqiptar.
(BalkanWeb)
