Banorë të fshatit Gurras, në qytetin e Pogradecit, janë mbledhur këtë të martë për të protestuar pasi tokat e tyre bujqësore janë prekur nga ndërtimi i rrugës së re që lidh zonën e burimeve të Gurrasit me Drilonin.

Ata pretendojnë se deri më sot nuk është kryer asnjë procedurë shpronësimi, ndërsa nuk u është përcaktuar as sipërfaqja e zënë e tokës dhe as vlera e kompensimit.

Banorët thonë se tokat i kanë me certifikata pronësie, të përfituara me ligjin 7501 ose të blera më pas. Ata pohojnë se mjetet e ndërtimit janë futur në pronat e tyre pa paralajmërim, dhe se bashkia e Pogradecit nuk u ka dhënë ende asnjë sqarim për situatën.

Sipas tyre, projekti po i afrohet përfundimit dhe frika më e madhe është që rruga të merret në dorëzim pa u kryer më parë procedurat e shpronësimit, gjë që do t’i linte pa asnjë mundësi kompensimi për tokën e humbur.

Rruga e re kalon në tokat e rreth 120 familjeve, ndërsa një pjesë e mirë e tyre, që merren me bujqësi, janë prekur plotësisht, duke mbetur pa pronë. Zona ku po ndërtohet rruga është ish-kënetore torfike, e njohur për prodhim të lartë bujqësor.

Banorët paralajmërojnë se, nëse bashkia nuk ndërhyn për zgjidhjen e çështjes së shpronësimeve, ata do të protestojnë dhe do të bllokojnë punimet.

Nga ana tjetër jashtë kamerave përfaqësues të Bashkisë Pogradec,kanë bërë e ditur se procedura e shpronësimit është ende në proces, por nuk është dhënë një afat se kur do të përfundojë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb