Shqipëria dështoi të niste me këmbën e mbarë fushatën e kualifikueseve të Euro 2024, teksa u imponua 1-0 në Poloni. Pavarësisht këtij rezultati, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të mira, e cila të jep shpresa për të ardhmen.

Trajneri i njohur, Shkëlqim Muça dha një intervistë për News 24, ku u shpreh optimist për grupin e drejtuar nga Silvinjo. Muça vuri theksin se trajnerit të ri i duhet dhënë kohë për të nxjerrë më të mirën nga Shqipëria.

Profesor, ndryshojë disa protagonistë, një trajner i ri, por një përfundim i vjetër, sërish dalim me shprehjen: Mund të merrnin diçka më shumë. Meritonte Shqipëria diçka më shumë?

Ne presim kohën. Kjo historia e vjetër që luajmë mirë dhe nuk marrim pikë duhet të marrë fund. Ardhja e Silvinjos ka krijuar një klimë tjetër. Unë mendoj që ekipi paraqiti një dëshirë të madhe për fitore. Ne pamë një ndeshje të mirë, polakët nuk na dominuan, fatkeqësisht sulmet tona janë spontane. Ne kemi nevojë për një lojtar të tipit Skela, pra që lidh mesin e fushës me sulmin. I mbetet Silvinjos që të bëjë një zgjidhje të situatës.

Çfarë shije të la dalja e parë e Sylvinho-s, si i vlerësoni zgjedhjet e bëra, skemën, mënyrën se si zgjodhi ta luaj sfidën me Poloninë?

Është një trajner që ka një mentalitet sulmues. Duket që nga mënyra si e ka vendos ekipin. Duhet të njohë më mirë cilësitë e lojtarëve për t’u marrë më të mirën. Duke njohur më mirë lojtarët, do e përmirësojë edhe mënyrën e lojës. Në aspektin sulmues duhet të kishim pjesëmarrje më të madhe. Portieri nuk ishte në nivelin e gjithë lojtarëve të tjerë, kjo për faktin se ka luajtur pak.

Çfarë bëmë mirë dhe çfarë bëmë keq profesor? Nëse do të vendosim disa nota, top dhe flop, cilat janë notat e Shkëlqim Muçës për disa lojtarë, dhe për trajnerin Sylvinho?(Psh, me çfarë note do e vlerësojë paraqitjen e bërë nga faza sulmuese, është hera e parë që luajmë me 3 sulmues, Uzuni, Asani, Cikalleshi)

Gjithë luajtën mirë, edhe Mihaj bëri mirë. Lojtarët tanë sulmues i vunë në vështirësi kundërshtarët. Edhe Uzuni, Asani e Cikalleshi bënë mirë. Silvinjo ka bërë atë që mund të bëhet për 6 ditë. Ndërtoi një skuadër që luan me zemër, u mundua me kundërsulm t’i kapte në befasi.

Ishte kjo Polonia më e dobët në vitet e fundit? Pas dy ndeshjeve, a ka ndryshuar diçka në perceptimin e favoritëve në Grupin E? Çekia thyen Poloninë, më pas ngec në transfertë përballë Moldavisë

Ndeshjet ndryshojnë nga njëra tjetra. Çekia ishte fantastike ndaj Polonisë, ndërsa ngeci ndaj Moldavisë. Polonia është në rindërtim, pasi kanë trajner të ri.

Çfarë impakti mund të japin rikthimi i lojtarëve si Broja, Gjimshiti, Ismajli, Bare. Çfarë pret nga dy e radhës në qershor, Moldavi-Shqipëri dhe Ishujt Farore-Shqipëri?

Broja nuk llogaritet dhe nuk besoj se do të jetë. Të tjerët mund të rikuperohen. Gjimshiti e Ismajli janë lojtarë të mirë. Kumbulla dhe Mihaj janë lojtarë të rëndësishëm. Ne duhet të bëjmë më shumë, ne na duhen ndeshje miqësore. Që ta njohësh më mirë ekipin, duhet të bësh edhe ndeshje miqësore.

Sa shanse i jep Shqipërisë për të siguruar një vend në Evropian, tani që kemi parë në aksion ekipin e Sylvinho-s, por dhe rivalët tanë, Poloninë dhe Republikën Çeke?

Ne duhet të mbajmë objektivin e qartë për kualifikimin. Kemi dy ekipe që nuk duhen nënvlerësuar si Moldavia dhe Ishujt Faraoe. Objektivi jonë është shumë i rëndësishëm. Duhet të kesh ecuri gjatë gjithë edicionit. Janë ndeshje të vështirë. Pavarësisht nëse kualifikohemi apo jo, trajnerit Silvinjo duhet t’i japim kohë. Duhet të ndërtojmë një skuadër të fortë, pse jo të shkojmë edhe në Botëror.  Silvinjo ka kohë për t’i njohur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb