Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i ftuar në emisionin “Prime News24”, ka folur lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vend dhe mbarëvajtjen e protestave qytetare.
I pyetur mbi mënyrën e reagimit dhe reagimin e mazhorancës ndaj protestave, Lapaj u shpreh kritik ndaj sjelljes së pushtetit dhe policisë së shtetit.
“Na thonë që protestën duhet ta bëjmë me lule, por po na vyshken lulet. Nuk na dëgjon ai. Nuk është standard europian. Këta kanë dy lloj policesh që i nxjerrin: në ditët kur ka masivitet popullor nxjerrin njerëzit normalë të policisë, ndërsa kur ka numra të vegjël të protestuesve nxjerrin legjione me anëtarë të bandave që veshin uniforma policie. Janë kapur si shoferë të krimit, kanë lidhje me krimin!”, deklaroi ai.
Lidhur me pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në protestën e sotme, kreu i “Shqipëria Bëhet” tha se sheshi duhet të jetë i hapur për secilin qytetar që kundërshton gjendjen aktuale.
“Unë besoj se në shesh duhet të jetë çdo banor i republikës që është kundër kësaj që po ndodh në Shqipëri. Nuk mund të bëjmë asnjë protestë me biletë, nuk mund të vendosim kufizime. Në protestë gjykoj se duhet të jetë çdo qytetar. Edhe ata janë kundër, nuk duan të vidhen më, nuk ka rëndësi kë kanë votuar më parë. Se i bie që mazhoranca ka shumicën gjithmonë nëse e bëjmë protestën me biletë. Të kutia e votimit votojnë kë të duan, por sheshi nuk mund të ketë përjashtime. Është i të gjithëve, askush nuk ka të drejtë t’i thotë dikujt pse proteston”, përfundoi Lapaj.
