NGA ERJOLA JATA*
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, vlerëson si sinjal pozitiv votën pro të opozitës për miratimin e kodit të procedurës administrative dy javë më parë. Në një prononcim për News24 nga Skrapari, Naço deklaron se mazhoranca i ka votat për të bërë reformën në drejtësi, por synon që kjo reformë të ketë dhe konsensusin e opozitës.
“Nuk kemi kërkuar edhe pse kemi patur mazhorancën që brenda tre muajve të parë apo gjashtë muajve të parë ne të mbaronim reformën në drejtësi. Kemi kërkuar që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse, të ketë rolin e vet dhe Presidenti i Republikës, të ketë rolin e vet opozita dhe shoqëria civile, pasi mendojmë që hapat e hedhura në kryerjen e kësaj reforme duhet të jenë të ngadalta port ë sigurta dhe të vendosura. Besoj që miratimi i kodit të procedurës administrative para dy javësh dhe vlerësimi im për opozitën, e cila dha konsensus dhe votoi kodin e procedurës administrative është një sinjal pozitiv për të na treguar që jemi në rrugën e duhur, në drejtimin e duhur dhe reformat e tjera që bëhen duhet të kenë një konsensus sa më të gjerë”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.
Lidhur me dekriminalizimin Naço tha se ky proces është në kohën e duhur, ndërsa siguroi se kandidatët e LSI për zgjedhjet vendore të 21 qershorit janë të pastër.
“Besoj që procesi i dekriminalizimit është në kohën e duhur, duhet bërë mos të përdoret për qëllime politike që të hedhin shashka herë pas here dhe kur u vënë draftin para nuk e miratojnë, presin të kalojnë këto zgjedhje dhe zgjedhjet e tjera. Ju jap garancinë e plot që kandidatët për këshilltarë apo kandidatët për kryetar bashkie të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë “bio” janë 100 % të pastër”, tha Naço.
Deklaratat e Ministrit të Drejtësisë u bënë gjatë një turi me një grup gazetarësh, ku promovoi vlerat e turizmit në zonën e Skraparit, ku pas mrekullive në zonën e Bogovës, ku shijohen ushqime tradicionale, spikat dhe mrekullia e kanioneve të Osumit.
(m.k/BalkanWeb)
