Agresioni fashist italian kundër Shqipërisë më 7 prill 1939, e më pas pushtimi, ishin fundi i një përpjekje të gjatë për të zotëruar bregun tjetër të Adriatikut. Beteja e Musolinit, me objektiva të qarta, kishte nisur në mes të viteve ‘20, me ndërhyrjen e plotë në ekonomi. Ajo u materializua me kredinë SVEA dhe koncesionin për Bankën e Shqipërisë, për të arritur kulmin me sigurimin e monopolit të plotë mbi naftën shqiptare, pas një beteje shumë të fortë diplomatike me britanikët.

Edhe më 1939, përsëri nafta ndikoi në ndryshimin drastik të rrjedhës së gjërave. Zogu tentoi të joshë gjermanët me arin e zi shqiptar, si një rrugë për shkëputje nga dominimi i plotë italian. Të trembur nga kjo situatë, Musolini dhe vartësit e tij, hartojnë menjëherë planet e pushtimit.

Marrëveshja me Jugosllavinë

‘Problemi shqiptar’ hidhet në tryezat diplomatike nga Ciano në mes të janarit, gjatë vizitës së tij në Jugosllavi. Bashkëpunimi me Jugosllavinë u konsiderua shumë i çmuar në Romë. Ciano në bisedimet me Stojadinoviç ofroi ndarjen e Shqipërisë, në kuadër të një bashkëpunimi të ngushtë, ku përfshihej mbështetja italiane për pushtimin e Selanikut nga Jugosllavia. Stojadinoviç e miratoi në parim projektin italian. Për detajet e tjera u ra dakord të negociohej jashtë kanaleve normale diplomatike. Ciano shkruan në ditarin e tij se ‘Stojadinoviç më tha se sipas tij Zogu do të ishte shumë i gatshëm, nëse paguhej mirë, për t’i shërbyer Francës dhe Anglisë në një moment krize për Italinë. Pra, shqetësimet tona janë absolutisht të vlefshme. Sipas tij ka dy zgjidhje:
E para: zëvendësimi i Zogut me një person tjetër më të denjë, por ai tha se nuk ishte në gjendje të thoshte se me kë dhe e dyta: ndarja e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë, siç është diskutuar edhe herët e tjera. Stojadinoviç pranoi dhe saktësoi se nuk dëshironte që një negocim i tillë të kalonte përmes legatave, por më mirë me agjentët e besuar dhe personalë që ne i kemi caktuar dhe që janë ministrit fuqiplotë Anfuso dhe vëllai i Stojadinoviçit”.
Rënia e Stojadinoviçit nga pushteti, më 4 shkurt, shënoi një pikë kthese në planet pushtuese. Ideja për të qenë në akord me Beogradin braktiset. Besohej se orientim i ri i politikës së jashtme të Jugosllavisë, me qeverinë e re, po kalonte në anën e Fuqive Perëndimore.
Kështu, pushtimin e Shqipërisë, Roma e pa të lidhur edhe me situatën e pasigurtë jugosllave. Mund të shpërbëhej shtetit jugosllav, kjo do të lejonte aneksimin e Kosovës nga Shqipëria. Mund të krijohej një Kroaci e pavarur, ku italianët mund të shtrinin ndikimin. Por në Romë ekzistonte gjithashtu vetëdija për rrezikun që Gjermania të përfitonte më shumë nga kriza e shtetit jugosllav. Ajo që ishte e qartë, qe se pavarësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, kontrolli i plotë i territorit shqiptar ofron avantazhe shumë domethënëse. Para së gjithash, nga pikëpamja ushtarake, sepse lejonte kontrollin në grykën e Adriatikut.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Naftë për Gjermaninë

Por në skenë dolën edhe elementë të tjerë që e përshpejtuan pushtimin. Para së gjithash, ishte alarmi që shkaktoi në Romë lajmi i tentativave gjermane për depërtim ekonomik në Shqipëri. Italianët e dinin mirë se makina hitleriane kërkonte naftë. Përballë reagimeve shumë të forta italiane se ‘Shqipëria është çështje e brendshme e Italisë’, garancitë gjermane nuk qenë bindëse. Alarmi përsëritet në Romë kur konstatohet se iniciativat e disa zyrtarëve gjermanë të dorës së dytë, shtohen. Pas hetimesh mësohet se ata ishin lëvizje të iniciuara nga një nivel më i lartë.
Më 26 janar 1939 ministri i jashtëm, Ciano e njofton ambasadorin italian në Berlin, Attolico se ambasadori gjerman në Tiranë kryen ‘aktivitetet që shumë shpesh është në kundërshtim me interesat tona” dhe i kërkon që ta bënte të qartë për Berlinin “se do ta vlerësonim nëse ai do të zëvendësohej sa më shpejt të jetë e mundur”. Më 3 shkurt 1939, Ciano merr këtë përgjigje nga Berlini prej ambasadorit Attoliko: “Sekretari i Shtetit u habit që një individ pothuajse i padobishëm si von Pannwitz, (ambasadori gjerman në Tiranë) i cili përpara se të bëhej ministër në Tiranë, ishte marrë vetëm me mobilimin e ambasadave, të mund të shkaktojë telashe. E bëra të qartë se do të ishte e nevojshme të merren masa më radikale. Kjo mosmarrëveshje në dukje diplomatike kishte një nënshtresë shumë më të thellë.

Më 6 shkurt 1939 Ciano ka një kërkesë tjetër për ambasadorin Attolico në Berlin: “Nga informacioni konfidencial rezulton se gjenerali Sereqi, adjutant i Mbretit Zog, ka shkuar në Berlin në lidhje me praktikat e nisura me legatën gjermane në Tiranë nga pala shqiptare, e cila synon të zëvendësojë ndikimin italian në Shqipëri me ndikimin gjerman. Kontrolloni nëse Sereqi erdhi vërtet në Berlin dhe, nëse po, monitoroni dhe raportoni”. Më 9 shkurt Attoliko përgjigjet: “Weizsäcker më informoi se bisedimet për marrëveshje financiare gjermano-shqiptare për kërkimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në Shqipëri po ecin. I thashë se lajmi më befasoi duke qenë se, me sa di, Italia praktikisht i ka hipotekuar tashmë të gjitha mundësitë e këtij lloji në Shqipëri”. Se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë zbulohet në një telegram të datës 11 shkurt 1939 që ambasadori Attoliko i dërgon Cianos nga Berlini. Në të thuhet: “Sot në mëngjes takova Nënsekretarin e Shtetit Keppler, specialist për çështjet ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rajhut, nga i cili buron niveli më i lartë i sekretit për naftën shqiptare. Ai më tregoi se: Siç dihet, Fyhreri i dha mbretit Zog një makinë Daimler-Benz për martesën e tij. Kjo makinë u çua në Shqipëri nga drejtuesi i fabrikës. Në bisedat pas dorëzimit, dikush nga pala shqiptare i vuri në dukje profesor Benzit se ndoshta ekzistonte mundësia për të kërkuar burime nafte në Shqipëri dhe e pyeti nëse kjo ishte me interes për Gjermaninë. Kjo iu raportua nënsekretarit të shtetit Keppler, i cili tha se asgjë nuk do të ishte e mundur për këtë çështje pa pëlqimin e Italisë. Por ai ia raportoi një ditë më pas Komitetit të Shefave të Shërbimeve, i cili mblidhet çdo ditë në Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane”. Frika se nafta shqiptarë mund të lakmohej nga gjermanët, e bëri të detyrueshme për Musolinin, ta vendoste Berlinin para faktit të kryer. Pak ditë pasi Hitleri pushtoi Çekosllovakinë të njëtën gjë bëri edhe Duçja me Shqipërinë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Plani Jakomoni nga Tirana, shumica ishin blerë

Nga Tirana ministri Jacomoni prej disa kohësh njofton për dobësinë e regjimit të Mbretit Zog dhe qëndrimin e popullatës shqiptare, e cila – thotë ai – jo vetëm që nuk është armiqësore ndaj Italisë, por pret me padurim ardhjen e italianëve. Këto janë lajme sugjeronin se pushtimi i Shqipërisë do ishte i suksesshëm ushtarakisht dhe i “prezantueshëm” në nivel ndërkombëtar. Telegramet që vinin nga Tirana i dorëzohen Musolinit, ai nënvizon frazat më optimiste.
Më 9 shkurt 1939 nga Tirana, ministri Jacomoni paraqet një plan për Cianon, ku ka shumë informacion interesant. Në plan, ndër shumë të tjera, thuhet: “Drejtuesit lokalë të lëvizjes këmbëngulin që aksioni të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse vonojmë, duhet të kemi frikë se ata humbasin besimin tek ne. Shqetësimi që ata kanë me kalimin e kohës është se mos komploti zbulohet dhe burgosjet ose vrasjet e bëjnë suksesin më të pasigurt. …

Një tjetër element në favor të një përshpejtimi të kohës është fakti se pagesat me vonesë të kuotave që ne i detyrohemi në bazë të marrëveshjeve të vitit 1936 e vendosin sot qeverinë shqiptare në situatën kritike financiare…Nga ana tjetër, një farë Urieëicz, një hebre polak, përfaqësues i Komitetit të Përbashkët për Ndihmën e Hebrenjve (rue de Tehran 19, Paris) i ka premtuar qeverisë shqiptare një ndihmë prej 100 milionë lireta në vit kundër të drejtës për të vendosur në Shqipëri 10.000 hebrenj në vit. Projekti favorizohet nga mbretëresha dhe nga Abdurrahman Mati, kumbari i Mbretit Zog…Përgatitja lokale tani është pothuajse e përfunduar… Gjatë përcaktimit të datës së fillimit të aksionit, duhet mbajtur parasysh se lindja e Mbretëreshës pritet në fillim të prillit. Për një muaj apo dyzet ditë aksioni në Shqipëri mund të jetë gati. Është e nevojshme vetëm që menjëherë të jetë në dispozicion shuma totale e kërkuar tashmë prej 15 milionë franga ari. Një pjesë e saj duhet të shpërndahet para (një milion franga ari tani në shkurt) pjesa tjetër gjatë dhe pas lëvizjes. Për sa i përket përdorimit të kësaj shume, duhet mbajtur parasysh se përveç shpërblimit për personalitetet kryesore politike pjesëmarrëse në aksion, është e nevojshme të sigurohen një ose dy muaj rrogë për bandat e armatosura. Megjithëse lëvizja është parashikuar në thelb si një fakt spontan i popullit shqiptar, është e nevojshme të parashikohet ardhja e shpejtë në Shqipëri e trupave pjesërisht ajrore”. Në thelb pushtimi ishte gati. E gjithë ajo që ndodh më pas është vetëm një koperturë diplomatike ku palët luanin me njëra-tjetrën. Më 16 shkurt 1939, Jacomoni e njofton Cianon me një letër të dorëzuar dorazi se “Mbreti Zog më foli për habinë që kishte pasur një ditë më parë duke marrë vesh nga një zyrtar se në Beograd Shkëlqesia Juaj kishte ofruar ndarjen e Shqipërisë me pretekstin e papjekurisë së politike të Shqipërisë”. Letrat ishin hapur. Por në Romë kishte ende hezitime.

Në dy ditë Ciano nis në Tiranë dy urdhëra krejt të kundërt. Më 15 mars 1939 ai urdhëron Jacomonin: “Situata e krijuar papritur në Evropën Qendrore na bën të besojmë se është e mundur dhe e përshtatshme për të vazhduar me operacionin e njohur sa më shpejt. Prandaj përgatitni me urgjencën më të madhe një lëvizje të parë kryengritëse”. Më 16 mars 1939 urdhri i dytë anulon të parin: “Pezullo (them pezullo) gjithcka dhe sigurohu për zbatimin e këtij udhëzimi”. Në ditarin e vet Ciano shënon: “Musolini më telefonon në Villa Torlonia në orën 9 të mëngjesit. Ai duket i lodhur. Ai thotë se gjatë natës ka reflektuar shumë dhe se ka arritur në përfundimin e shtyrjes së operacionit shqiptar, mbi të gjitha sepse ka frikë se, duke tronditur shtetin jugosllav, favorizon pavarësinë kroate nën kujdesin gjerman. Që do të thoshte prusianët në Sussak: nuk ia vlen të marrësh këtë rrezik për të marrë Shqipërinë, që mund ta marrim në çdo kohë tjetër. I dhashë urdhër Jacomonit të ndalojë gjithçka”. Por do të jetë thjeshtë punë ditësh. Më 31 mars 1939 nga Tirana, Roma merr këtë mesazh: Urgjente. Në Mat janë përqendruar bandat besnike të Mbretit dhe në të njëjtën zonë janë ngritur skuadra xhandarësh. Në një bisedë konfidenciale mëngjesin e sotëm me një person të afërt, ministëri i brendshëm ka deklaruar se Mbreti pret një grusht shteti nga Italia; për ta shmangur atë, ai do të ishte i gatshëm të pranonte çdo kërkese tonën për sa kohë kjo nuk dëmton drejtpërdrejt ose tërthorazi pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Përndryshe Mbreti do të lëvizë drejt rezistencës së armatosur”. Është e qartë lufta ishte në prag.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Situata ndërkombëtare

Pavarësisht presionit të Cianos, Musolini fillimisht kishte hezituar në pritje të fitores finale të Frankos në Spanjë dhe përfundimin e aleancës me Gjermaninë. Ajo që ndryshoi tablonë e situatës ishte grushti gjerman mbi Çekosllovaki. Prej andej erdhi shtytja vendimtare për të vepruar. Historiografia italiane ka nxjerrë në pah, dëshirën e liderëve fashistë për të demonstruar se Boshti nuk funksionon ekskluzivisht në favor të Gjermanisë. Ishte një aspekt i lidhur dhe me nevojat e brendshme politike. Por edhe elementë të tjerë nxisin aksionin pushtues. Së pari, frika se Gjermania, pas Danubit, do mësynte Adriatikun. Nga ky këndvështrim, pushtimi i Shqipërisë synonte parandalimin e ndikimit gjerman në Adriatik.
Në Tiranë panorama ndërkombëtare sa vinte e qartësohej. Më 31 mars 1939 Jakomoni e njofton eprorin e tij në Romë se “Nga burime të shumta më është thënë për një aktivitet intensiv në dy ditët e fundit nga ministrat francez (Louis Mercier) dhe anglez, (Sir Andreë Ryan) të cilët po e shtyjnë Mbretin t’i rezistojë presionit italian. Pranë Durrësit po instalohen pajisje ndriçuese sinjalizuese, me shpresën për të komunikuar me luftanijet e huaja”. Më 3 prill 1939 ka dhe një tjetër telegram në të njëtin drejtim. Jacomoni njofton Cianon: “Në fakt, nuk mund të përjashtohet që në gjendjen aktuale Mbreti të ketë marrë, nëse jo garanci aktuale, të paktën inkurajim nga jashtë. Ditët e fundit ka pasur kontakte të shpeshta të tij me ministrat e Anglisë dhe Greqisë (Perikli Skeferis)”.

Vendimi për ta pushtuar shpejt Shqipërinë u ndikua nga nënvlerësimi i Musolinit dhe Cianos për reagimet britanike. Kjo, pjesërisht, për faktin se Ciano kishte informata se Londra e shikon “me mirëkuptim” forcimin e pozicionit italian në Shqipëri. Toni i shtypit britanik gjithashtu tregonte se reagimet britanike ishin të kufizuara, të gjitha gazetat britanike e shihnin pa alarm hipotezën e një protektorati italian mbi Shqipërinë. Edhe këtu italianët e kishin luajtur lojën e tyre. Më 4 prill 1939 Ciano u kërkon ambasadorëve italianë në Londër e Paris shprehimisht: “Nëse ndodh pushtimi ushtarak i Shqipërisë, gjeni një mënyrë për të përhapur fjalën nëpërmjet palëve të treta, se veprimi italian ka për qëllim të bllokojë rrugën e zgjerimit të mëtejshëm gjerman në Ballkan. Do të ishte e dobishme nëse ndonjë gazetë e përmend këtë hipotezë. Ky veprim duhet të kryhet me maturi”. Më 6 prill 1939 Ciano i shkruan prapë ambasadorit në Londër: “Shtypi i sotëm anglez shfaqet mirë. Vazhdoni sa të jetë e mundur ta drejtoni sipas linjës së ndjekur deri tani”.
Një ditë më parë ambasadori Attoliko nga Berlini e kishte njoftuar Cianon se: “Ribbentrop më tha se ka marrë komunikimin në lidhje me Shqipërinë dhe më kërkon t’ju siguroj se Gjermania e sheh gjithmonë me kënaqësi gjithçka që forcon Italinë sepse forcon edhe Boshtin”.

Më 6 prill 1939 Ciano i telegrafon Jacomonit: Operacionet e embarkimit dhe nisjes tani po vazhdojnë rregullisht dhe autokolona do të mbërrijë në Durrës dhe në portet e tjera të paracaktuara në orën 4.30 nesër, e premte 7 prill. Zbarkimi do të fillojë menjëherë. Ndërsa më 7 prill 1939 Musolini urdhëron komandantin ushtarak të pushtimit të Shqipërisë, gjeneralin Guzzoni: Propozimet e Zogut janë të papranueshme. Mos humbisni më kohë dhe marshoni drejt kryeqytetit. Mbreti Zog kishte kërkuar, nëpërmjet të dërguarve të tij, që trupat italiane të ndaleshin në pozicionet ku ishin, që forcat e destinuara për të pushtuar Tiranën të mos përparonin. Gjenerali Guzzoni kishte rënë dakord të pezullonte lëvizjet në pritje të vendimit të Musolinit. Çiano shkruan në ditarin e tij më 7 prill se: Guzzoni priti parlamentarët e Zogut dhe në vend që të vazhdonte aksionin siç kishte urdhëruar Duçe, pezulloi gjithçka për gjashtë orë. Duçe u tërbua: kjo vonesë mund të ketë pasoja shumë të rënda. Duhet të arrijmë në kryeqytet për të bërë manovrën tonë politike. Duçe urdhëroi të rifillojë marshimi, por ndërkohë është një ditë e humbur dhe kjo i lejon shtypit të neveritshëm francez të thotë se italianët u mundën nga shqiptarët.

Pushtimi i Shqipëri pati pasoja të rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Përpjekja për ta paraqitur atë si synim kundër avancimit të Gjermanisë në Ballkan (pjesërisht e vërtetë) nuk piu më ujë në Londër. Reagimet britanike, ndryshe nga se mendonin italianët, qenë shumë të ashpra. Pushtimi nuk përbënte vetëm shkelje të Pakteve Ndërkombëtare, por shënonte dështimin e plotë të politikës së Chamberlain ndaj Italisë. Kryeministri britanik kishte shpresuar ta nxiste Musolinin të bënte dallim, megjithëse brenda Boshtit, nga Gjermania, madje dhe të ushtronte një veprim frenues ndaj Berlinit. Më 20 mars ai i kishte dërguar një letër ku i kërkonte të ndërhynte tek Hitleri për t’i dhënë fund politikës së tij të agresionit. Kjo tregonte se ai e vlerësonte ende Musolinin të vlefshëm. Pas pushtimit Chamberlain ndihet i “tradhtuar” dhe ekspozohet nga sulmet e opozitës por edhe nga partia e tij. Reagimet e tij janë shumë të ashpra. Ata dalin në dritë kur Roma propozon, për të zbutur tensionin, të tërheqë legjionarët e saj nga Spanja. Propozimi i dërguar tek Chamberlain përmes “kanaleve sekrete” merr një përgjigje që tregon se besimi tek Musolini dhe qeveria e tij nuk ekzistonin më. Kur pala italiane deklarohet e gatshme të tërhiqet menjëherë nga Spanja, nëse Chamberlain pranonte bashkimin e kurorave të Italisë dhe Shqipërisë, përgjigja qe kategorikisht negative. Reagimi i parë britanik kundër, shfaqet menjëherë më 13 prill me shpalljen e garancisë për Greqinë. Pushtimi i Shqipërisë qe vërtet pika e kthesës në marrëdhëniet mes Romës e Londrës. Fundi i asaj kthese ishte pamja e Musolinit i ekspozuar i varur për këmbësh, në një stacion karburanti në Plaza Loreto të Milanos, më 1945.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb