Peshkatarët e Durrësit kanë denoncuar atë që e konsiderojnë abuzim në kurriz të tyre me çmimin e naftës. Në një deklaratë të bërë në ambientet e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, kreu i saj Osman Beu, tha se peshkatarët e Durrësit po e marrin naftën me 60 lekë më shumë sesa Shëngjini, Vlora dhe Saranda.

Për nënkryetarin e kësaj organizate, Besim Troplini, subvencionimi me 40 lekë që po bëhet nga qeveria nuk po u vjen në ndihmë peshkatoreve të Durrësit për shkak të diferencimit në çmimin e naftës. Në emër të organizatës, ai kërkoi rimbursim të flotës së peshkimit për abuzimin e bërë nga 3 kompanitë që i furnizojnë me karburant.
Në vitet e fundit, anijet e peshkimit në Durrës kanë vazhduar punën edhe falë punësimit të shumë shtetasve egjiptianë. Por ditët e fundit, po konstatohet ikja masive e tyre dhe kjo ka sjellë që 4 anije të flotës të ndërpresin punën.

Rritja e çmimit të naftës për shkak të konfliktit Ukrainë-Rusi ka goditur rëndë sektorin e peshkimit, që prej disa muajsh tashmë ka rritur ndjeshëm çmimin e produkteve të detit. Sipas organizatës së peshkimit, sektori po del deficit dhe rrezikon kolapsin në të ardhmen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: