Sonte, në skenën madhështore të finales së “Eurovision Song Contest 2026”, Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, një baladë emocionale që ka prekur publikun shqiptar dhe fansat e Eurovisionit në mbarë Europën. Pas performancës në natën e dytë të Eurovision, artisti do të ngjitet sërish sonte në skenën austriake për të sjellë një performancë plot emocion, identitet dhe kulturë shqiptare.
Kënga “Nan” është vlerësuar për tekstin e ndjerë dhe interpretimin e veçantë të Alis, duke u konsideruar si një nga përfaqësimet më artistike të Shqipërisë në vitet e fundit. Fansat shqiptarë brenda dhe jashtë vendit pritet të ndjekin me emocion performancën në finalen e madhe, me shpresën që Shqipëria të arrijë një rezultat të rëndësishëm në konkurrimin europian.
Përfaqësuesja e Shqipërisë ka marrë mjaft vlerësime pozitive nga fansat dhe komentatorët e Eurovision Song 2026, sidomos për emocionin dhe interpretimin vokal.
Portali Eurovision World e përshkruan këngën si një baladë shumë emocionale me tekst të ndjerë për dashurinë e nënës dhe largimin e fëmijëve nga shtëpia.
Faqja Euroalfa shkroi se “Nan” është një nga këngët më prekëse të këtij edicioni. Panelistët vlerësuan vokalin e Alis si “perfekt” dhe thanë se kënga ka potencial të fortë.
Gazeta suedeze Aftonbladet e cilësoi interpretimin si “emocional dhe teatror”, duke theksuar praninë e figurës së nënës në skenë si një element që e bën performancën më të fortë emocionalisht.
Edhe komuniteti i fansave në faqen Reddit reagoi shumë pozitivisht. Disa komente e quajtën performancën “të fuqishme”, “prekëse” dhe “një nga momentet më emocionale të festivalit”. Shumë komentues shkruajtën se kënga i bëri të qanin, sidomos për shkak të temës së nënës dhe interpretimit skenik.
Finalja e “Eurovision Song Contest 2026” zhvillohet sonte përpara miliona teleshikuesve në të gjithë botën, ndërsa votat e publikut dhe jurive do të përcaktojnë fituesin e këtij edicioni.
Shqipëria synon të lërë gjurmë edhe këtë vit me “Nan”, një këngë që sjell emocione të forta dhe tinguj modernë të ndërthurur me elementë tradicionalë shqiptarë.
Renditja e shteteve në natën finale
-
- Danimarkë Søren Torpegaard Lund – Før Vi Går Hjem
- Gjermani Sarah Engels – Fire
- Izrael Noam Bettan – Michelle
- Belgjikë ESSYLA – Dancing on the Ice
- Shqipëri Alis – Nân
- Greqi Akylas – Ferto
- Ukrainë LELÉKA – Ridnym
- Australi Delta Goodrem – Eclipse
- Serbi LAVINA – Kraj Mene
- Maltë AIDAN – Bella
- Çeki Daniel Zizka – CROSSROADS
- Bullgari DARA – Bangaranga
- Kroaci LELEK – Andromeda
- Mbretëria e Bashkuar LOOK MUM NO COMPUTER – Eins, Zwei, Drei
- Francë Monroe – Regarde !
- Moldavi Satoshi – Viva, Moldova!
- Finlandë Linda Lampenius x Pete Parkkonen – Liekinheitin
- Poloni ALICJA – Pray
- Lituani Lion Ceçah – Sólo Quiero Más
- Suedi FELICIA – My System
- Qipro Antigoni – JALLA
- Itali Sal Da Vinci – Per Sempre Sì
- Norvegji JONAS LOVV – YA YA YA
- Rumani Alexandra Căpitănescu – Choke Me
- Austri COSMÓ – Tanzschei
