Ish-ministri Arben Malaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili ndërroi jetë dje në moshën 73-vjeçare, duke theksuar qasjen e tij të veçantë ndaj politikës dhe humbjeve personale.

Malaj kujtoi periudhën kur Nano synoi postin e presidentit në karrierën e tij.

“Nano e kuptonte mirë çfarë po ndodhte. U largua nga drejtimi i PS nga zyra e kryeministrisë, dëshironte të bëhej president, e provoi, por nuk ia arriti. Kur pati refuzim nga PS, ai vetë e pranoi. Kur nuk e votuan herën e parë, nuk doli të akuzonte njerëz në PS, por e pranoi si fakt dhe e përjetoi si zhgënjim të madh,” u shpreh Malaj.

Sipas Malajt, ky qëndrim tregon integritetin dhe qetësinë e Nanos në politikë, edhe në momente kur pritshmëritë e tij personale nuk u realizuan. Ai nënvizoi se kjo aftësi për të pranuar realitetin pa hakmarrje apo akuza ishte një nga tiparet që dallonte lidershipin e ish-kryeministrit.

Në fjalën e tij, Malaj e përshkroi Nanon si një figurë politike që kuptonte mirë dinamikat e partisë dhe vendit, duke lënë një trashëgimi të qartë për menaxhimin e krizave dhe përballimin e zhgënjimeve personale në politikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb