Napoli i këtij sezoni është thuajse perfekt, 9 fitore dhe vetëm një barazim në 10 ndeshje. Ekipi i Spallettit kaloi pa shumë problem edhe Bologna me rezultatin e pastër 3-0, një fitore që i rikthen shumë shpejt në krye në kuotën e 28-të pikëve, po aq sa edhe Milan. Në Maradona, Fabian Ruiz kaloi tifozët në delir me një super gol në minutën e 18-të, një e majtë potente në limitet e zonës që u ndal në trekëndësh. Më pas skena ishte e gjitha për kapitenin Lorenzo Insigne që realizoi dy herë nga pika e bardhë e penalltisë, në minutën e 41-të dhe në të 62-tën, duke sigluar shifrat përfundimtare në 3-0.

Tifozët napolitan me të drejtë tani ëndërrojnë titullin kampion, por është Amir Rrahmani, titullar i padiskutueshëm me Spallettin në stol, që mban ambientin me këmbë në tokë: “Është herët për të folur për titull, kanë kaluar vetëm 10 ndeshje. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje, të gjithë ekipet janë të vështira, do të bëhet edhe më e vështirë në vijim pasi tani të gjithë e njohin forcën tonë”, u shpreh kapiteni i Kosovës në një intervistë për “Sky Sport”.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb