Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur ditën e sotme përballë mbështetësve të tij gjatë prezantimit të kandidatit të tij për bashkinë e Lushnjës për zgjedhjet e 14 majit për arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, i cili u kap nga SPAK pas abuzimit me një tender rreth 2 milionë euro.
Ai e cilësoi Allën si “narkomanin e Bulqizës”, ndërsa tregoi se ai u arrestua për shkak se nuk donte të largohej dhe se donte të kandidonte prapë.
“Arrestuan për një tender 2 milion euro narkomanin e Bulqizës, e arrestuan se nuk pranoi të largohej, donte të kandidonte patjetër dhe ia mbanin dosjen. Ja ku e keni, kryebashkiakun e Fierit, i cili tokën bujqësore e shpall truall për të vjedhur, burgosen vartësit dhe jo kryesori”, deklaroi Berisha.
Duke u ndalur tek tenderat, Berisha akuzoi zv.kryeministren Belinda Balluku se ka zhvilluar 260 tendera sekrete duke përfituar prej tyre.
“260 tendera 260 vjedhje, tenderat i fiton baxhanaku i Ramës që nuk duhet të marrë fare pjesë sepse e ndalon ligji.
Shqipëria sot duhet të jetë eksportues dhe të ulet çmim për qytetarët dhe bizneset se prodhohen 2 mld KË më shumë se nevoja. Nga qershori deri në shtator këta hapin digat se është kulmi i çmimeve, ia shesin sekserëve me çmimi badihava, 20-30 euro kur në bursë shiten deri në 200 euro. Pasi shiten në bursë paratë ndahen me qeveritarët.”, tha ai.
