Komanda e Operacioneve Aleate (ACO), përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e të gjitha stërvitjeve, aktiviteteve dhe operacioneve të NATO-s, ka nisur sot aktivitetin Arctic Sentry. Ky operacion shumëdimensional synon forcimin e mëtejshëm të pozicionit të NATO-s në Arktik dhe në Veriun e Largët, ndërsa prania e Aleancës në këtë rajon vijon të zgjerohet.
“Arctic Sentry tregon përkushtimin e Aleancës për mbrojtjen e anëtarëve të saj dhe ruajtjen e stabilitetit në një nga rajonet më strategjike dhe më sfiduese nga pikëpamja mjedisore në botë”, deklaroi Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich. Ai theksoi se operacioni do të angazhojë të gjithë kapacitetin e NATO-s për mbrojtjen e territorit dhe për garantimin e sigurisë në Arktik dhe Veriun e Largët.
Deklarata vjen në një kohë kur NATO ka rritur fokusin mbi sigurinë në Arktik, pas takimit të zhvilluar muajin e kaluar në Davos mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Dy liderët ranë dakord për nevojën që Aleanca të marrë më shumë përgjegjësi kolektive për mbrojtjen e rajonit, në kushtet e rritjes së aktivitetit ushtarak rus dhe interesit në zgjerim të Kinës në këtë zonë.
Përgatitjet për Arctic Sentry u kanë dhënë planifikuesve të NATO-s një panoramë të plotë të aktiviteteve të vendeve aleate në Arktik dhe Veriun e Largët. Në vijim, ACO do ta përdorë këtë aktivitet për të koordinuar përpjekjet në një qasje të integruar operacionale, duke forcuar më tej praninë e NATO-s në rajon, sipas njoftimit të Selisë së Komandës Supreme të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).
Mes aktiviteteve të lidhura përfshihen edhe Arctic Endurance i Danimarkës, një seri stërvitjesh shumë-domainëshe për rritjen e aftësive operacionale në rajon, si dhe stërvitja Cold Response e Norvegjisë, ku trupat e Aleancës kanë nisur tashmë dislokimin.
Arctic Sentry do të drejtohet nga Komanda e Forcës së Përbashkët në Norfolk (JFC Norfolk), komanda më e re e NATO-s, e cila që prej dhjetorit ka në zonën e saj të përgjegjësisë të gjithë këtë rajon. Sipas Grynkewich, Norfolk shërben si lidhja strategjike mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, duke mbrojtur korridoret kyçe ndërkontinentale.
Në kuadër të këtij operacioni, ACO dhe JFC Norfolk do të bashkëpunojnë me Komandën Aleate për Transformim dhe do të koordinojnë aktivitetet me NORAD, si dhe me Komandën Veriore dhe atë Evropiane të SHBA-së.
