Vizita e Presidentes Osmani në Shqipëri, përcolli një sërë mesazheh politike. Një ndër më kryesoret është, siç u shpreh edhe vetë ajo: qëllimi është i përbashkët, strategjia është e ndryshme.

Lidhur me këtë të fundit, analisti Mentor Nazarko, i ftuar nga gazetarja Linda Karadaku, ka theksuar disa fragmente kyçe, në marrëdhëniet mes dy shteteve komb.

Linda Karadaku: Çfarë domethënë që strategjia është e ndryshme dhe pse duhet të jetë e ndryshme?

Mentor Nazarko: Po, pra… e vë re këtë kontradiktë. Taktikat mund të jenë të ndryshme, sepse janë dy shtete që në rrugëtimin e tyre ndërkombëtar, mund të kenë ndonjëherë objektiva afatshkurta dhe mund t’i kenë të ndryshme. Por, në pikëpamje afatgjatë, pra në pikëpamje strategjike, nuk do duhet të kenë ndryshime… Por, po supozojmë se ky është një lapsus i saj. Ajo çka ka dashur të thotë dhe këtu nuk mund të gabohem shumë, – duke dashur të supozoj se çfarë ka dashur të thotë – është që çfarë ka ndodhur në pikëpamje komunikative, në pikëpamje të gjesteve, të fërkimeve kohët e fundit është diçka e rëndë dhe e parëndësishme ose që nuk peshon shumë, në raport me atë që peshon dhe që është e ardhmja e përbashkët. Natyrisht, këtu ajo i referohet kryesosht fërkimit mes Kurtit dhe Ramës… dhe paraqitet edhe nëpërmjet kësaj vizite, si dikush që ndihmon në kapërcimin e këtyre problemeve.

Për hir të së vërtetës, në këtë rol të ri, – po e quaj të ri, – ajo po konvertohet nga një kosovaro-centrike në një shqiptaro-centrike. Po ta shikoni edhe flamurët, edhe veshja e saj, donte të rezonote nga pak me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, të përbashkët.

Së dyti, i kam ndjekur vizitat e saj, emfazën, apo lumturinë që ka pasur veçanërisht tek arbëreshët e Italisë, që janë një themel i përbashkët i ekzistencës tonë, i mbijetesës tonë kombëtare. Dhe kemi një dimension të tretë të këtij konvertimi, në marrëdhëniet e mira ,me Presidentin Begaj, i cili, megjithatë ishte shumë korrekt; ishte në vijim me atë që është qëndrimi shtetëror i Shqipërisë dhe këtu s’ka dallim Rama – Begaj, për hir të së vërtetës.

Presidenti Begaj i ka thënë të njëjtat gjërat qe i ka kërkuar Rama, por me një gjuhë më të përmbajtur dhe ky, është lajm i mirë.
Momenti i katërt i këtij konvertimi, i është normalizimi i marrëdhënieve të saj, me Ramën.

Duhet thënë diçka, për Presidentin Begaj. Shtetet serioze, jo shtetet si ne që nuk e kanë arritur maksimumin e seriozitetit, e zhvillojnë politikën e jashtme në disa nivele: te presidentit, të kryeministrit, ministrisë së jashtme apo edhe në nivele të tjera, shoqëri civile etj.

Po ta shikojmë më vëmendje performancën, mënyrën sesi Presidenti ka zhvilluar funksionin e vet përkundrejt Kosovës, duket se ai është perëndimorisht, apo politikisht korrekt.

Ai ka pasur – kjo duket, nuk është se ai e ka shpallur- në respekt të vetëpërmbajtjes, me sa duket ka marrë edhe misione që i janë ngarkuar nga NATO. Kur u shënuan incidentet e para në Veri, ai ishte nga të parët që shkoi atje dhe naivisht u refuzua nga udhëheqësi I LDK-së,.. ishte një cic-mic i vogël. Nuk e di pse zoti Abdixhiku, ra në një grackë të tillë. Por, ai luajit një rol paqësues, pa e prekur ndjeshmërinë kosovare. Po ashtu edhe mesazhet dha, ishin në këtë linjë. Pra, mesazheve të Perëndimit. Shqipëria është vend në NATO. Shqipëria, nuk mund të dalë përkundrejt krizave që e lidhin Kosovën me Serbinë, Kosovën me NATO-n. Nuk mund të dalë jashtë gjuhës së NATO-s.

Dhe Begaj është njeriu i NATO-s, Begaj vjen në detyrën e presidentit, nga detyra e shefit të shtabit të përgjithshëm. Pra, ai reflekton një njohje të mjediuseve të sigurisë, të çështjeve të sigurisë dhe aq më tepër, problematikave të sigurisë midis Kosovës e Serbisë. Në këtë plan, ai ka një ekspertizë që e veçon dhe nga të tjerët. Dhe me sa duket, mes tyre, midis Begajt dhe Osmanit, ekziston një mirëkuptim personal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: