Nikola Jokic u dhuroi tifozëve të basketbollit një spektakël të vërtetë për Krishtlindje, duke udhëhequr Denver Nuggets drejt një fitoreje dramatike pas kohës shtesë ndaj Minnesota Timberwolves, 142-138 në “Ball Arena”.
Ishte një nga ndeshjet më emocionuese të sezonit dhe një paraqitje që hyn drejtpërdrejt në historinë e NBA-së. Edhe pse të dobësuar nga mungesa e tre titullarëve, Cameron Johnson, Aaron Gordon dhe Christian Braun, Nuggets gjetën forcën te lideri i tyre absolut. Jokic dominoi parketin dhe zhvilloi një ndeshje antologjike: 56 pikë, 16 kërcime dhe 15 asistime, duke u bërë lojtari i parë në historinë e NBA-së që regjistron më shumë se 55 pikë, 15 kërcime dhe 15 asistime në një ndeshje të vetme.
Me këto 56 pikë, Jokic realizoi rezultatin e tretë më të mirë ndonjëherë në ndeshjet e Krishtlindjes, pas legjendarëve Bernard King (60 pikë) dhe Wilt Chamberlain (59). Por spektakli nuk mbaroi këtu: ylli serb vendosi edhe një rekord të ri të NBA-së me 18 pikë në kohën shtesë, duke kaluar rekordin e mëparshëm të Stephen Curry-t, i cili në vitin 2016 kishte shënuar 17. Në momentet vendimtare, Jokic ishte i pagabueshëm: 3/3 nga loja në shtesë, përfshirë dy gjuajtje për tre pikë, si dhe 10/ 11 nga vija e gjuajtjeve të lira.
THRILLER NË DENVER Ndeshja ishte me emocione të forta. Nuggets humbën një epërsi prej 15 pikësh në çerekun e fundit, duke i lejuar Timberwolves të riktheheshin. Arkitekti i këtij rikthimi ishte Anthony Edwards, i cili me një treshe spektakolare në sekondën e fundit barazoi rezultatin në 126-126, duke dërguar ndeshjen në kohën shtesë. Minnesota e nisi shtesën me një seri 9-0, por më pas në skenë doli sërish Jokic.
Gjatë momentit kyç të përmbysjes së Denverit, Edwards u ndëshkua me dy gabime teknike për protesta ndaj gjyqtarëve dhe u përjashtua nga loja, një goditje vendimtare për shpresat e Timberwolves. Edwards e mbylli ndeshjen me 44 pikë. Përveç Jokic, një kontribut të madh për Denverin dha edhe Jamal Murray me 35 pikë dhe 10 asistime, ndërsa Tim Hardaway Jr., i futur në formacionin fillestar, shtoi 19 pikë të rëndësishme.
